Lajme

Hamiti: Osmani dhe Kurti nuk dallojnë, janë në një linjë

By GAZETA SCANNER 1

September 27, 2024

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka komentuar pretendimet e presidentes Vjosa Osmani, e cila dje ka thënë se nuk dallon me kryeministrin Albin Kurti.

Ai ka vlerësuar se shefja e shtetit po e thotë një të vërtetë.

Sipas tij, Kurti dhe Osmani nuk dallojnë asgjë.

Në profilin e tij në “Facebook”, Hamiti ka shkruar se derisa dy liderët institucionalë janë në një linjë, Kosova është nën sanksione ndërkombëtare.

“Është e vërtetë se nuk dallojnë, siç po e thotë edhe vetë Presidentja. Ndërkohë që Presidentja Osmani është në një linjë me Kryeministrin Kurti, Kosova është nën sanksione ndërkombëtare prej qershorit të vitit të kaluar. Për rrjedhojë, Republika jonë ka humbur projekte të BE-së në vlerë prej qindra miliona eurosh. Kosova është sanksionuar dhe izoluar si kurrë më parë. Kryeministri Kurti e ka pranuar vitin e kaluar Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit që e bën Asociacionin autonomi politike-territoriale për serbët e Kosovës. Ky pushtet dështoi në përpjekjen për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës sivjet. Vendi ynë nuk e ka marrë asnjë njohje ndërkombëtare në katër vitet e fundit”, ka shkruar Hamiti.