Foto: AFP

Lajme

Hamasi e jep përgjigjen “me amendamente” për propozimin për paqe, Izraeli thotë se kjo përbën refuzim

By GAZETA SCANNER 1

June 12, 2024

Hamasi të martën e dorëzoi përgjigjen zyrtare për propozimin e paraqitur nga Izraeli para 12 ditëve, duke deklaruar se i ka bërë “amendamente” ofertës, por autoritetet izraelite thanë se kundërpërgjigjja e grupit palestinez përbën refuzim të propozimit.

Përgjigjja e Hamasit iu dorëzua Katarit dhe Egjiptit, të cilët pastaj ia përcollën ndërmjetësueses së tretë, ShBA-së. Të tria shtetet lëshuan deklarata duke thënë se ishin duke e shqyrtuar propozimin, pa i dhënë ndonjë cilësim, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Në deklaratën e përbashkët, Egjiptit dhe Katari u zotuan për vazhdimin e përpjekjeve të tyre për ndërmjetësim derisa të arrihet një marrëveshje, duke shtuar se ata “do të bashkërendojnë me palët në lidhje me hapin e ardhshëm”.

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk lëshoi deklaratë zyrtare, por një zyrtar anonim izraelit dha një deklaratë, duke thënë se përgjigjja e Hamasit i kishte “ndryshuar të gjithë parametrat kryesorë dhe më domethënës”, duke përbërë refuzim të propozimit që është hedhur në tavolinë.

Përgjigjja e Hamasit u njoftua përmes një deklarate të përbashkët me grupin Xhihadi Islam Palestinez. Këto grupe e deklaruan gatishmërinë e tyre për të biseduar në mirëbesim për një marrëveshje që do ta sillte përfundimin e plotë të luftës.