Ish-komandanti i Zonës Operative të Pashtrikut, Sadik Halitjaha, ka thënë në emisionin Pressing në T7 se nuk ka pasur grupime të tjera që kanë luftuar në Kosovë, përveç UÇK-së.
Halitjaha ua bëri një pyetje anëtarëve të FARK-ut, duke u thënë se nëse nuk kanë qenë me UÇK-në, atëherë me kënd kanë luftuar.
“Duhet me i pyet se ku kanë luftuar dhe për kënd. Nëse kanë luftuar në Kosovë, atëherë kanë qenë me UÇK-në. Nuk ka pasur ushtri tjetër”, tha ai.
“Do të ishte ideale që të ekzistonte një ombrellë. Por nuk është e vërtetë. Të gjitha grupimet kanë qenë në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Unë kurrë në luftë nuk kam dëgjuar këso gjëra. Nuk ka qenë as pyetje se a ke qenë me FARK-un. Nuk mund ta mohoj se ka pasur fërkime. Por po të kishte luftime ndërmjet grupimeve do të ishte shumë e papërballueshme. Ne edhe ashtu kemi qenë pak kundër armikut”, shtoi ai.