Lajme

Haliti thotë se zgjedhjet në veri nuk janë shembull i mirë

By GAZETA SCANNER 1

April 25, 2023

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, i ka komentuar zgjedhjet lokale që janë mbajtur të dielën në katër komunat e veriore.

Haliti në emisionin “Info Nata” ka thënë se problemi i këtyre zgjedhjeve është përqindja e vogël e qytetarëve që kanë dalë për të votuar.

“Sikur të ishin mbajtur zgjedhjet normale, sikur të kishin marrë pjesë edhe komuniteti serb që është shumicë atje, dhe të kishin fituar dy komuna Vetëvendosje dhe dy komuna PDK-ja isha gëzuar vërtetë, të paktën isha gëzuar për dy komunat që i ka fituar PDK-ja. Problemi atje është që kanë votuar 1 mijë e ca veta”, tha ai në Tëvë1.

Sipas deputetit opozitar, serbët në veriun e Kosovës janë organizuar me urdhër të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, pasi që nuk kanë dalur për të votuar.

“Serbët janë organizuar me urdhër të Vuçiqit, nuk ka dal asnjë në votime, përveç ndonjërit që nuk ka dashur ta zbatojë urdhrin për arsyet e veta”.

Haliti ka thënë se nuk pranon të ketë zgjedhje, ku në qendrën e votimit qëndrojnë njësia policore të pajisur me automatik.

“Unë nuk pranoj zgjedhje ku pranë kontejnerit, ose pranë shkollës shoh policë me automatik, mendoj që nuk janë shembull i mirë i zgjedhjeve. Ata e kanë planin e tyre, që me ia prezantu Bashkësisë Ndërkombëtare që na nuk e zbatojmë marrëveshjen, sepse shihi këta se çka po dojnë”, shtoi ai.

Zgjedhjet e mbajtura të dielën kanë nxjerrë fitues në Leposaviq partinë Vetëvendosje me 73.5%, si dhe në Mitrovicë të Veriut me 66.5%. Ndërsa, në dy komunat tjera në atë të Zubin Potokut ka fituar Partia Demokratike e Kosovës me 52.1%, në Zveçan me 60%. /teve1.info/