Partia Demokratike e Kosovës (PDK) konsideron se qëllimi i kryeministrit Albin Kurti është që draftin e Asociacionit të mos e dërgojë në Gjykatë Kushtetuese deri pas zgjedhjeve. Ndërsa analisti Bekim Kabashi thotë se kryeministri po arsyetohet me mosnënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit nga ana e Serbisë.
Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, thotë për Ekonomia Online se vonesa po bëhen të qëllimshme në mënyrë që Gjykata Kushtetuese të mos japë mendim para se të përfundojnë zgjedhjet në Kosovë.
“Ky është vit elektoral, që tashmë kemi hyrë. Dhe po besoj që qëllimi i tij (Kurtit) është që deri në fushatën zgjedhore të mos ketë një vendim nga Gjykata Kushtetuese, lidhur me çështjen e Asociacionit. Pra, ai po e vonon dërgimin e këtij statuti në Gjykatën Kushtetuese për të mos pasur mundësi që Gjykata Kushtetuese me dhënë mendim para se të përfundojnë zgjedhjet”, thotë Haliti.
Por analisti politik, Bekim Kabashi, thotë se kryeministri Kurti ishte zotuar se do ta implementojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por po arsyetohet ne mosnënshkrimin nga ana e Serbisë të marrëveshjes bazike.
“Siç e dimë që Qeveria e ka marrë obligim me pranimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit pastaj edhe në takimin e pesëshes së madhe në Bruksel ku është takuar kryeministri Kurti është zotu që ka me pranu edhe me kalu draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por kjo qeveri po arsyetohet me mosprocedimin e këtij drafti shkaku që Serbia nuk po pranon të nënshkruajë marrëveshjen bazike, që pastaj e ka obligim brenda edhe Asociacionin në kuadër të pikës 10 ku thuhet që palët janë të obliguara t’i pranojnë të implementojnë të gjitha marrëveshjet e pranuara të kaluarën”, thotë Kabashi, për EO