Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi ka reaguar pas ngjarjeve tronditëse në Gjermani dhe Zvicër, ku dy gra kosovare dyshohet se u vranë nga bashkëshortët e tyre.
Halimi tha se mosreagimi i shoqërisë kundër vrasësve, po e normalizon krimin mbi gratë.
“Dhuna ndaj grave dhe vrasja e tyre po shndërrohet në përditshmëri, në një shoqëri të narrativeve burrërore e kanunore. Mosreagimi përmes zërit të ngritur të shoqërisë duke shenjëstruar vrasësit për ta marrë dënimin e merituar po e normalizon krimin mbi gratë”, ka shkruar ajo.
Ajo ka kritikuar institucionet e Kosovës për mos ndërmarrjen e veprimeve për mbrojtjen e grave.
“Gratë po vriten, e fatkeqësisht asnjë shqetësim nga ky kabinet qeveritar dhe mekanizmat e shtetit. Presidentja si grua, por edhe prijëse politike duhet me urgjencë ta krijojë një grup nën patronatin e saj, që të avokojë për mbrojtjën e lirive dhe jetës së grave në mërgatë. Ajo sëbashku me shoqatat, aktivistet e shoqërisë civile dhe forumet e grave duhet të nisë një ofensivë për ta ndalur këtë mizori, që lajmet për vrasje grashë të mos mbesin vetëm kronika të zeza, por të na zgjojnë në mbrojtje të jetës dhe lirisë”, u shpreh Halimi.
Tutje, Halimi tha se mendësia patriarkale dhe dhuna ndaj grave janë luftë kundër lirisë.
“Bartja e mendësisë tradicionale, patriarkale në ambientin e ri dhe kombinimi i tij me traumën sociale të mërgimit, është një nga shkaqet thelbësore që prodhon dhunë në familje. Dhuna ndaj grave deri në eliminimin fizik të tyre esencialisht është luftë kundër lirisë, e për nënshtrimin e tyre diktatit të burrit që pandehet pronar i jetës së tjetrit/tjetrës”, ka shkruar ajo në Facebook.