Ekonomi

Guvernatori takoi drejtuesit e lartë të Këshillit të Byrove për Kartonin e Gjelbër në Bruksel

By GAZETA SCANNER 1

October 04, 2023

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili takoi drejtuesit e lartë të Këshillit të Byrove në Bruksel, znj. Sandra Schwarz – Presidente dhe znj. Greet Flore – Drejtoreshë Menaxhuese.

Pjesë e delegacionit ishin edhe përfaqësuesit nga Byroja Kosovare e Sigurimit dhe zyrtarë të Ambasadës së Kosovës në Bruksel. Guvernatori Ismaili i informoi për zhvillimet e fundit dhe progresin në sektorin financiar, me theks në industrinë e sigurimeve në Republikën e Kosovës. Gjithashtu, Guvernatori Ismaili argumentoi nevojën dhe pengesat që mungesa e Kartonit të Gjelbër shkakton për bizneset, qytetarët e vendit tonë dhe diasporën lidhur me lëvizjen e lirë.

Për të arritur këtë objektiv të rëndësishëm për lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave, u diskutuan mënyrat dhe aranzhmanet e mundshme për adresimin e kësaj çështjeje. Drejtuesit e lartë të Këshillit të Byrove, falënderuan delegacionin e Republikës së Kosovës për vizitën dhe u shprehën të gatshëm të shqyrtojnë mundësitë dhe aranzhmanet potenciale alternative për një zgjidhje të kësaj çështjeje.

Megjithatë, ata ri-kujtuan se kufizimet ligjore që vijnë nga Statuti i Këshillit të Byrove, përbëjnë sfidën kryesore që kërkon kohë për adresim. Guvernatori Ismaili theksoi përkushtimin e BQK-së për këtë qëllim, mbështetjen nga Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për të gjetur një zgjidhje në këtë drejtim