Ekonomi

Guvernatori Ismaili takoi Përfaqësuesin e Thesarit të SHBA-së për të diskutuar zhvillimet kryesore të sektorit financiar dhe forcimin e bashkëpunimit

By GAZETA SCANNER

September 20, 2024

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga ekipi i tij, ka zhvilluar një takim me Përfaqësuesin e Thesarit të SHBA-së për Evropën Qendrore dhe Lindore, z. Mathew Haarsager. Diskutimet u përqendruan mbi gjendjen makroekonomike të Kosovës, zhvillimet e fundit në sektorin financiar dhe iniciativat e ndërmarra nga BQK-ja në përputhje me Planin e saj Strategjik 2024-2028.

Guvernatori Ismaili nënvizoi stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e sistemit financiar, duke vënë në pah performancën e qëndrueshme të sektorit, përfshirë normën e ulët të kredive jo-performuese dhe nivelin e lartë të kapitalizimit.

Gjatë takimit, Guvernatori i BQK-së i shprehu mirënjohjen z. Haarsager për mbështetjen thelbësore të ofruar nga Departamenti i Thesarit amerikan. Ai theksoi përfitimet nga projektet e ndryshme të përkrahura nga Thesari i SHBA-së, të cilat kishin synim zhvillimin e tregut të obligacioneve qeveritare, krijimin e infrastrukturës së nevojshme të tregut dhe lehtësimin e iniciativave të tjera që avancojnë sistemin financiar të Kosovës.

Gjithashtu, u diskutuan bashkëpunimet aktuale të mbështetura nga USAID-i, të cilat kanë qëllim krijimin e një kornize dhe infrastrukture të qëndrueshme të tregut të kapitalit. Këto projekte janë jetike për promovimin e stabilitetit financiar dhe rritjes ekonomike të Kosovës, duke siguruar që sektori financiar të vazhdojë të zhvillohet në përgjigje të nevojave të tregut.

Guvernatori Ismaili ritheksoi rëndësinë e partneriteteve dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare në nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe rritjen e qëndrueshmërisë së sistemit financiar të Kosovës. Angazhimi me Thesarin e SHBA-së ka për synim forcimin e më tejmë të marrëdhënieve dhe promovimit të një mjedisi të qëndrueshëm financiar në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Të dy palët në mbyllje të takimit rikonfirmuan zotimin për thellimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit.