Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, së bashku zëvendësguvernatorët z. Milot Cakaj dhe z. Dardan Fusha, mirëpriti Shefin e ri të Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Kosovën, z. David Amaglobeli, shoqëruar nga z. Sebastian Sosa dhe z. Selim Thaçi.
Guvernatori Ismaili e uroi z. Amaglobelin për pozitën e re dhe shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin ndërmjet BQK-së dhe FMN-së. Gjatë këtij takimi, ai e informoi z. Amaglobelin për zhvillimet në sektorin financiar dhe ecuritë ekonomike, zbatimin e Planit Strategjik, funksionalizimin e strukturës së re organizative dhe reformat e tjera në BQK me qëllim të ngritjes së kapaciteteve.
Gjithashtu, Ismaili informoi z. Amaglobeli për përmbushjen e rekomandimeve që dalin nga dy programet e FMN-së: Stand-By Arrangement (SBA) dhe Resilience and Sustainability Facility (RSF), si dhe rekomandimet e asistencave teknike.
Gjatë takimit, Shefi i Misionit të FMN-së u informua për angazhimin e BQK-së për reformat legjislative, digjitalizimin, angazhimet për anëtarësim në SEPA, avancimin e mbrojtjes së konsumatorit dhe agjendën e gjelbër.
Z. Amaglobeli falënderoi Guvernatorin Ismaili për bashkëpunimin ndërmjet FMN-së dhe BQK-së, dhe e informoi për planet dhe pritshmëritë e FMN-së në kuadër të politikave ekonomike dhe financiare si dhe marrëveshjeve me FMN-në.
Në vijim, z. Amaglobeli siguroi Guvernatorin Ismaili për mbështetjen e FMN-së ndaj BQK-së për reformat e ndërmarra dhe nismat e tjera në funksion të avancimit të sistemit financiar në vend.
Të dy palët u zotuan se bashkëpunimi do të vazhdojë dhe do të avancohet më tej për arritjen e rezultateve të tjera në funksion të qëndrueshmërisë së sistemit financiar dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike.
Z. Amaglobeli ka punuar në disa vende dhe misione të ndryshme të FMN-së, si dhe në pozitën e Guvernatorit dhe Zëvendësguvernatorit në Bankën Qendrore të Gjeorgjisë, ku ka drejtuar reformat e rëndësishme institucionale.