Sport

Guardiola: Kombësia e trajnerit të Anglisë nuk ka rëndësi, vetëm rezultatet

By GAZETA SCANNER 1

October 19, 2024

Emërimi i Thomas Tuchel në krye të Anglisë u shoqërua me reagime të ndryshme nga mediat dhe tifozët, por trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka bërë thirrje që trajneri i ri të përkrahet pafundësisht, pavarësisht kombësisë së tij.

Ish-trajneri i Chelseat dhe Bayern Munichut, Tuchel është gjermani i parë që drejton Anglinë dhe i huaji i tretë që merr drejtimin pas të ndjerit Sven-Goran Eriksson të Suedisë dhe italianit Fabio Capello.

“Ne nuk vendosim se ku të lindim. Mami dhe babi vendosin këtë dhe nëntë muaj më vonë ne jemi në jetë. Unë nuk vendosa të jem katalanas, ju nuk vendosni të jeni anglez ,” u tha Guardiola gazetarëve përpara përballjes së Cityt ndaj Wolverhampton Wanderers të dielën.

Federata vendosi të shkojë për një trajner të huaj me një rekord të madh. Mendimi im është se do ta mbështes pa kushte. Nëse ai fiton do të lavdërohet dhe nëse humbet do të kritikohet. Por nuk ka rëndësi kombësia e tij. E di që jemi krenarë për vendin nga jemi, por bota është kaq e madhe. Duhet të jesh mendjehapur. Unë erdha këtu për të mësuar nga ju,” tha 53-vjeçari në një konferencë për shtyp të së premtes.

Guardiola ishte i lidhur me punën në Angli së bashku me Eddie Howe të Newcastle United dhe ish-trajnerin e Chelseat, Graham Potter.

Spanjolli tha se shpresonte të ishte trajner i një ekipi kombëtar një ditë, por kur u pyet nëse ishte kontaktuar nga FA, ai u përgjigj: “Thomas Tuchel është trajner, harrojeni. Unë jam trajneri i Man City, harrojeni. Pjesa tjetër nuk është e rëndësishme.”

City është i dyti me 17 pikë pas shtatë ndeshjesh, baras me Arsenalin e vendit të tretë dhe një pikë prapa liderit Liverpool.

Wolves, të cilët kanë një pikë, mundën Cityn 2:1 në ndeshjen sezonin e kaluar, me Guardiola që tha se do të ishte një udhëtim i vështirë.

“Ata kanë më pak pikë sesa meritojnë. Kjo është gjithçka që mund të shoh. Është gjithmonë e vështirë me Wolves,” shtoi ai.

Guardiola tha se mesfushori Kevin de Bruyne, i cili ka qenë jashtë fushës me një problem me hamstring për javë të tëra, nuk do të jetë i disponueshëm për ndeshjen.