Lajme

Grupe terroriste serbe, të përfshirë në manipulimin e zgjedhjeve

By GAZETA SCANNER 1

December 02, 2023

Pjesëtarë të grupeve kriminale e terroriste serbe në komunat veriore të Kosovës janë përfshirë në manipulimin e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë, që do të mbahen më 17 dhjetor.

Burime të konfirmuara nga RTK, thonë se Zoran Millojeviq, i njohur si ZELA, u ka kërkuar punonjësve të kompanisë serbe, të telefonisë mobile MTS, që ta votojnë subjektin politik të Aleksandër Vuçiqit.

Për ta siguruar fitoren e pushtetit aktual serb, Zoran Millojeviq – ZELA ka premtuar që secilit votues ta shpërbleje më nga 100 euro.

I njëjti burim, thotë se Kompania serbe e telefonisë mobile MTS është e ndërlidhur direkt edhe me pjesëtarë të organizatës terroriste që organizoi agresionin paramilitar terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjskë, ku u vra oficeri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku.

Vladimir Radivojeviq, i njohur me nofkën MAMI, është njëri nga udhëheqësit e grupit terrorist që ka marrë pjesë në Banjskë më 24 shtator.

Radivojeviq ka qenë dikur shofer personal i Zelës dhe ka qenë i punësuar në kompaninë MTS.

Zgjedhjet parlamentare të Serbisë nuk do të mbahen në Republikën e Kosovës, ngase Serbia nuk ka pranuar që t’i dërgojë kërkesë zyrtare institucioneve relevante në Kosovë. Pritet që serbët e Kosovës në mënyrë të organizuar të votojnë në Serbi, në vendbanimet më të afërta me Kosovën.

Në anën tjetër, opozita në Beograd ka ngritur shqetësime të vazhdueshme për tendencat e manipulimit të votuesve serbë nga Kosova.