Lajme

Grevistët thonë se një minator pësoi sulm kardiak

By GAZETA SCANNER 1

October 29, 2023

Gjendja shëndetësore e minatorëve të minierës së “Trepçës” është përkeqësuar.

Mjeku i QKMF-së, Ridvan Ramagjiku, për Tëvë1 ka bërë të ditur se sot, në ditën e gjashtë të grevës, 18 minatorë kanë marrë trajtim mjekësor.

Ramagjiku, ka njoftuar se minatorët kanë pasur kokëdhimbje, derisa dy prej tyre i kanë transferuar në spital.

“Ditën e sotme i kam pasë deri tash 18 raste, 2 i kem çu në emergjencë në spital. Shumica prej tyre kanë pasë tretman për kokëdhimbje, për shkak të rritjes së tensionit arterial, disa kanë pasë edhe mundime ose dhimbje trupore, këto raste të gjitha i kemi trajtu me mundësitë tona që i kemi këtu. Kemi edhe disa punëtorë që vetë janë të sëmurë e normal që mundet me ju keqësu gjendja e tyre. Ka pasë edhe të atillë që nuk e kanë pranu terapinë, janë deklaru që e kanë terapinë personale”, tha Ramagjiku.

Ndërkaq, disa grevistë ekipes së Tëvë1 i kanë thënë që një minator ka pësuar sulm kardiak, ku pas trajtimit mjekësor sërish është kthyer brenda në minierë për të vazhduar grevën.

Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Jonuzi, i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që t’i vizitojë dhe t’u bëjë zgjidhje minatorëve.

“I bëjmë thirrje kryeministrit të Kosovës sepse i vetmi ai mund të gjejë zgjidhje dhe të dalim prej kësaj situate të cilën nuk e dëshirojmë as ne si Sindikatë. Ne në kapacitetet tona nuk kemi fuqi me i nxjerr këta njerëz prandaj i bëjmë thirrje kryeministrit të Kosovës që të vjen sa më shpejt ta gjejmë një zgjidhje, ta tejkalojmë këtë situatë”, tha Jonuzi.

Prezentë në minierën e “Trepçës” janë edhe njësitë policore.

Minatorët kanë hyrë në grevë si shenjë proteste për vonesat që po u bëhen në ekzekutimin e pagave.

Kërkesat e tyre janë realizimi i pagës nga data 6 deri me datën 10 të çdo muaji, dorëheqja apo shkarkimi i u.d i kryeshefit, Enis Abdurrahmani dhe kërkesa për sigurim shëndetësor dhe përmirësimin e kushteve.