Federata e Futbollit e Kosovës ka nisur aktivitetet në kuadër të programit të futbollit bazik me shënimin e “Grassroots Week”. Ky festival futbolli, i cili është bërë tashmë një traditë në hapje të aktiviteteve për edicionin e ri, nisi të hënën duke mirëpritur të gjithë fëmijët e interesuar, pa asnjë dallim, me synimin për t’i afruar më shumë me lojën e futbollit.
Aktivitetet filluan në Fushë Kosovë, në stadiumin “Ekrem Graiqevci”, dhe do të shtrihen deri të premten në regjione të ndryshme të Kosovës. Në ditën e parë, rreth 100 fëmijë të moshave të ndryshme, të dy gjinive, duke përfshirë edhe fëmijë nga minoritetet, u angazhuan në lojëra dhe aktivitete të ndryshme nën përkujdesjen e trajnerëve, duke përjetuar kësisoj momente argëtimi dhe duke u socializuar me njëri-tjetrin në fushën e gjelbër.
Qëllimi i këtij programi është që të nxisë sa më shumë fëmijë të merren me sport dhe ta përjetojnë kënaqësinë e futbollit. Mbikëqyrësja e projektit, Albina Rrahmani, e cilësoi festivalin si urë lidhëse mes fëmijëve dhe futbollit, derisa edhe të rinjtë iu gëzuan këtyre aktiviteteve të cilat i shijuan pafund. Destinacioni i radhës do të jetë qyteti i Gjilanit.