Lajme

Glauk Konjufca priti në takim deputeten britanike Alicia Kearns

By GAZETA SCANNER 1

October 21, 2023

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti, shefi i Kabinetit, Ilir Kërçeli dhe këshilltarët, ka pritur në takim deputeten dhe Kryetaren e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns.

 

Në këtë takim të përzemërt u diskutua për raportet miqësore që ekzistojnë midis dy vendeve dhe për rëndësinë e forcimi të këtij bashkëpunimi në çdo fushë, si përkushtim i vazhdueshëm i të dy palëve.

 

Duke e falënderuar znj. Kearns për vizitën, kryetari Konjufca e konsideroi ardhjen e saj në Kosovë si afirmim të bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve tona mike dhe aleate, në një partneritet ku përputhen në plotni linjat e veprimit, interesat dhe qëllimet e synuara.

 

I pari i Kuvendit i shprehu zyrtares së lartë britanike mirënjohjen për mbështetjen e saj të madhe dhe të vendit të saj për Kosovën, duke i qëndruar në krah në kohët më të vështira dhe në ato më të mirat.

 

“Prania e Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës si dhe në rajon është e një peshe të pazëvendësueshme për sigurinë, stabilitetin dhe përbën garanci ekuilibruese në dinamikat e aktualitetit të brishtë, siç është edhe për një të ardhme me vizion të gjerë“, theksoi kryetari Konjufca.

 

Deputetja e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns falëndëroi kryetarin Konjufca për pritjen e ngrohtë dhe po ashtu konfirmoi se mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën do të vijojë të jetë e fuqishme.

 

Të dy palët biseduan edhe për ngjarjet e fundit të Banjskës, me ç’rast kryetari Konjufca potencoi se aktet e agresionit nga Serbia përmes grupeve terroriste nuk janë kërcënim vetëm për Republikën e Kosovës, por vendosin në pikëpyetje stabilitetin e të gjithë rajonit. ​