Gjyqtari i çështjes ndaj ish-Presidentit Donald Trump në Nju Jork, nën akuzat për mashtrime me pronat dhe bizneset e tij, dha një urdhër që i ndalon palët të flasim për anëtarë të ekipit të tij dhe paralajmëroi marrjen e masave për shkeljen e tij.
Urdhri erdhi pasi ish-presidenti sulmoi në mediat sociale një nga juristet e stafit të gjykatësit.
Gjyqtari Arthur Engoron i gjykatës së Manhatanit u tha avokatëve të zotit Trump dhe Prokurores së Përgjithshme të Nju Jorkut Letitia James, që ngriti padinë për mashtrime ndaj zotit Trump, se sulmet ndaj stafit të tij ishin “të papranueshme, të papërshtatshme dhe nuk do të tolerohen në asnjë rrethanë”.
Urdhri që ndalon të dyja palët të flasin për anëtarët e stafit të tij, u dha në ditën e dytë të dëshmive në gjyq. Gjykatësi Engoron paralajmëroi me “pasoja serioze” nëse do të shkelej urdhri.
Prokurorja James ka akuzuar Trumpin, dy djemtë e tij të rritur, Organizatën Trump dhe të tjerët se kanë ekzagjeruar vlerat e pronave të tyre gjatë një dekade për të siguruar kredi bankare dhe kushte të favorshme për sigurimet, si edhe për ekzagjerim të pasurisë së vetë zotit Trump me më shumë se 2 miliardë dollarë.
Gjyqi mund të çojë në shpërbërjen e perandorisë së biznesit të zotit Trump, ndërsa ai përpiqet të rimarrë presidencën në vitin 2024. Gjykatësi Engoron e dha urdhrin pasi zoti Trump shpërndau një postim në mediat sociale të juristes, duke e identifikuar atë me emër, në një fotografi me kreun e shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer të Nju Jorkut, i cili nuk është i përfshirë në çështjen ndaj zotit Trump.
Ish-presidenti iu referua nëpunëses së gjykatës si “e dashura” e senatorit Schumer. “Sa e turpshme!” shtoi zoti Trump, kandidati kryesor për emërimin si kandidat të Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale. “Ky gjyq duhet të ndërpritet menjëherë!!”, vazhdoi ai.
Postimi i ish-presidentit Trump u fshi më vonë.