Lajme

Gjykimi në mungesë në rastin Banjska, kur do t’i kthejë Supremja përgjigje Themelores?

By GAZETA SCANNER 1

October 05, 2024

Gjykata Themelore në Prishtinë edhe zyrtarisht i ka dorëzuar kërkesën për mendim juridik për gjykimin në mungesë, Gjykatës Supreme.

Kjo e fundit ka konfirmuar se të hënën kanë pranuar këtë kërkesë, duke thënë se kërkesa do të shqyrtohet, pa treguar se sa kohë mund të marr shqyrtimi i saj.

“Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojmë se me datë 30 shtator, është pranuar kërkesa e Gjykatës Themelore të Prishtinës, për mendim juridik lidhur me çështjen e gjykimit në mungesë. E njëjta do të shqyrtohet”, Gjykata Supreme.

Ndonëse nuk ka ndonjë afat të caktuar sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, Supremja do të kthejë përgjigje në një afat të arsyeshëm, porse thonë se e njëjta do të jetë e qartë meqë në rastin e Banjskë, nuk lejohet gjykimi në mungesë.

“Është e paarsyeshme dërgimi i një kërkese të tillë, në Gjykatën Supreme për mendim juridik, mendimet juridike apo qëndrimet parimore të Gjykatës Supreme nuk janë çështje procedurale që duhet të zgjidhen janë për situata kur ka një aplikim jouniform të ligjit nga ana e Gjykatave që del një mendim juridik që tenton ta unifikojë zbatimin ligjit, mirëpo nuk është roli i gjykatës supreme për të zgjidhur do dilem procedurale. Në rastin konkret dispozita është mjaftë e qartë se në këto raste nuk lejohet gjykimi në mungesë”, ka thënë Gzim Shala – Hulumtues në IKD.

“Në këtë rast situata është mjaft e qartë, ne aktakuzën e ngritur në rastin Banjska nuk kemi vepra penale, për të cilat nuk ka parashkrim të veprës penale, siç janë krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, gjenocidit apo vrasja e rëndë. Si e tillë është problematike që një rast i tillë të zhvillohet në mungesë ndaj të akuzuarve, një mendim të tillë  ka dhënë edhe vetë komisioni i Venecies ku ka thënë se veprat e renda të cilat nuk parashkruhen mund të gjykohen në mungesë”, ka thënë Yll Zekaj – Avokat.

Megjithëse, Shala e Zejkaj mendojnë se është e paarsyeshme kërkesa drejtuar Supremes, avokati i familjes së Afrim Bunjakut, i vrarë në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, thotë se kjo gjykatë duhet të lëshojë një udhëzues për gjykimin në mungesë.

“Gjykata Supreme duhet të na jep direktivat gjykimi në mungesë është një institut relativisht i ri juridik dhe ne nuk kemi përfaqësues gjyqësore, dhe si përfaqësues i palës së dëmtuar unë jam avokat i familjes së Afrim Bunjakut, heroit i cili ka vdekur në detyrë, kam interes që gjykimi të kryhet sa më shpejtë dhe të njëjtën kohë të jetë edhe gjykim i rregullt që Gjykata e Apelit të mos e kthejë në rigjykim”, ka thënë Arianit Koci – Avokat i familjes Bunjaku.

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, për sulmin në Banjskë. 3 të akuzuar janë në paraburgim ndaj të cilëve është veçuar procedura gjyqësore, ndërkohë që për 42 të tjerët përfshirë edhe kreun e grupit Milan Radoiçiq, Prokuroria ka kërkuar që gjykimi të zhvillohet në mungesë.