Lajme

Gjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, dëshmitari thotë se kanë dorëzuar armët në vend se të kyçeshin në UÇK

By GAZETA SCANNER 1

September 04, 2023

Dëshmitari i 20-të (me kodin 04368), duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Rexhep Selimit, avokatit Eric Tully ka thënë se ai dhe anëtarët e familjes së tij kanë dorëzuar armët në vend se të kyçeshin në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Këtë ai e tha së seancën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqi, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai sqaroi se kishin dorëzuar dy kallash dhe një pistoletë, duke sqaruar se UÇK-ja ka kërkuar ose ata të kyçen në UÇK me armët e tyre ose nëse nuk kyçen, t’i dorëzojnë armët.

‘‘Ata sigurisht e kanë pas frikën mos po i vrasim, mos po i sulmojmë me ato armë’’, tha dëshmitari.

Tutje, kur u pyet se pasi që kishin kaluar gjashtë muaj që nga arrestimi i të afërmit numër 1 dhe dorëzimit të armëve, nëse do kishte kërcënim real sa i takon atij dhe familjes së tij, a nuk do t’ua kishte kërkuar UÇK-ja që armët t’i dorëzojnë më herët, përgjigja ka qenë me përmbajtje të redaktuar.

Ndërkaq, në vazhdim u tha se pas dorëzimit të armëve, asnjë anëtarë i UÇK-së nuk i ka sulmuar apo nuk ka tentuar të i dëmtojë atë apo familjen e tij.

Duke qenë se të tjerët nuk kanë pasur më pyetje për dëshmitarin, atë ka filluar ta marr në pyetje trupi gjykues.

Por, me kërkesë të anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Christoph Barthe është kaluar në sesion privat për të mbrojtur identitetin e dëshmitarit dhe të tjerëve dhe kështu pothuajse gjitha pyetjet e trupit gjykues janë zhvilluar në seancë private.

Pyetja e gjykatësit Fergal Gaynor se a mund ta konfirmonte se i afërmi numër 1 ishte rrëmbyer për arsye private dhe cila mund të ketë qenë kjo arsye, e që dëshmitari tha se arrestimi nuk është bërë nga njerëz privat por është marr nga UÇK-ja.

E kur u pyet pse, përmbajtja ka qenë e redaktuar derisa seanca ka filluar duke bërë pyetje sërish avokati Gregory Kehoe lidhur me një shit-blerje të një toke të dëshmitarit nga një serb.

Dëshmitari pohoi se blerja ishte bërë nga një serb dhe se tokën e kishin lënë në emër të tij pasi nuk ishte lejuar të bëhej një transferim i titullarit të pronës nga serbi tek shqiptari.

Ai po ashtu tha se për këtë gjë kanë qenë në njohuri edhe fshatarët e tjerë dhe se sikurse herë të tjera, një pjesë e përgjigjeve të tij kanë qenë të redaktuara.

Në këto rrethana, dëshmitari i 20-të ka përfunduar dëshminë e tij në këtë çështje.