Botë

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të vendosë këtë javë për rastin e gjenocidit kundër Izraelit

By GAZETA SCANNER 1

January 25, 2024

Gjykata kryesore e Kombeve të Bashkuara do të lëshojë të premten vendimin lidhur me kërkesën e Afrikës së Jugut për lëshimin e masave të përkohshme në rastin e gjenocidit kundër Izraelit, përfshirë edhe kërkesën që Izraeli të ndalë ofensivën e tij në Gazë.

Vendimi është në fazën paraprake për rastin e ngritur nga Afrika e Jugut në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Afrika e Jugut pretendon se veprimet ushtarake të Izraelit në luftën kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë përbëjnë gjenocid. Izraeli mohon akuzat dhe ka kërkuar nga gjykata që ta rrëzojë rastin, shkruan REL.

Izraeli ka nisur një ofensivë ajrore dhe tokësore në Gazë, pasi Hamasi kreu sulme më 7 tetor në jug të Izraelit duke vrarë 1.200 persona, shumica civilë.

Izraeli shpesh bojkoton tribunalet ndërkombëtare dhe hetimet e OKB-së, duke thënë se janë të padrejta dhe të njëanshme. Por, liderët e shtetit dërguan ekipe ligjore gjatë seancës dyditore dëgjimore, që u mbajt më herët gjatë këtij muaji.

Nëse gjykata miraton disa apo të tetë kërkesat e Afrikës së Jugut për të ashtuquajturat masa të përkohshme, është ende e paqartë nëse Izraeli do t’i respektojë ato.