Lajme

Gjoshi: Po shihet qartë se në 2 vitet e fundit është krijuar një “Mafi Energjetike” – e cila ka shpërdoruar dhjetëra miliona euro të qytetarëve të Kosovës

By GAZETA SCANNER 1

April 20, 2023

Sekretari për organizim dhe zgjedhje i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka thënë se marrja në mbrojtje e kryeshefit të arrestuar të KEK-ut nga ana e kryeministrit Albin Kurti dhe zyrtarët e Vetëvendosjes dëshmon se partia në pushtet qëndron mbrapa shpërndorimit të milionave euro në sektorin e energjisë në dy vitet e fundit.

Gjoshi ka shkruar në faqen e tij në Facebook se të gjithë zyrtarët e VV-së, pa përjashtim, sot u hodhën në sulm, shantazhe e kërcenime ndaj prokurorisë, ndërkaq që morën në mbrojtje Drejtorin e KEK-ut dhe veprat korruptive për të cilat dyshohet.

“Këto veprime janë të paprecedenta në vendin tonë. Por, në të njëjtën kohë, dëshmi që Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës dhe Prokuroria e vendit tonë janë duke bërë një punë të drejtë dhe të mirë. Respektivisht, duket se arrestimi i shefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, është vetëm maja e ajsbergut. Veprat për të cilat dyshohet shefi i KEK-ut duket se rrënjët i kanë në një organizim më të gjerë, e ku të përfshirë janë zyrtarë qeveritarë, ambasadorë, biznesmenë e tregtarë të energjisë. Me pak fjalë, në dy vitet e fundit po shihet qartë se është krijuar një “Mafi Energjetike” – e cila ka shpërdoruar dhjetëra miliona euro të qytetarëve të Kosovës”, tha Gjoshi.

Ai ka ftuar ambasadat e huaja dhe organizatat e shoqërisë civile që të dalin në mbrojtje të rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës.

“E vërteta duhet të zbardhet deri në fund dhe të gjithë të përfshirët duhet të japin llogari. Duam drejtësi, jo hajni”, tha Gjoshi.

https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=pfbid02LCKEFLgLK3xVa5bLY9Rbf247xFDvcmNF1nXja8ZKbvKaMsoWmgHe9CRCZZpWMxM3l&id=100046007122690&sfnsn=mo&mibextid=6aamW6