Lajme

Gjoshi-Gërvalles: Pyete Kurtin pse po koordinon politikat shtetërore me vrasësin Radojçiq

By GAZETA SCANNER 1

October 30, 2024

Betimi Gjoshi i PDK-së i ka reaguar ministres së Jashtme Donika Gërvalla për raportimin e saj në KS të OKB-së.

Në një postim në Facebook, ai i ka rikujtuar Gërvalles se Serbia zyrtarisht i mbron kriminelët e luftës dhe nuk presim asgjë prej saj, e as që zyrtarët e saj do të pendohen pse rrijnë me një kriminel si Radojçiqi.

“Ministre, do të ishte mirë që ta pyesni shefin tuaj në Qeveri, Albin Kurtin se përse po koordinon politikat shtetërore me një vrasës brutal si Milan Radojçiqi?”, shkruan Gjoshi.

Postimi i plotë:

Ministre, kjo është një pyetje me vend, por nuk shqetësohem se me kënd rrin Gjuriqi. Është e ditur botërisht se Serbia zyrtarisht i mbron kriminelët e luftës dhe nuk presim asgjë prej saj, e as që zyrtarët e saj do të pendohen pse rrijnë me një kriminel si Radojçiqi.

Ministre, do të ishte mirë që ta pyesni shefin tuaj në Qeveri, Albin Kurtin se përse po koordinon politikat shtetërore me një vrasës brutal si Milan Radojçiqi?

Ministre, do të ishte mirë ta pyesni Kurtin se përse po e mbron kaq fuqishëm koordinimin dhe bashkimin e votave me lejen e Milan Radojçiqit?

Jam shumë i bindur që qytetarët e Kosovës nuk shqetësohen aspak që Gjuriqi koordinon punët me të, por janë të tmerruar kur u bindën se Albin Kurti në publik mbante fjalime të zjarrta kundër kriminelit Milan Radojçiq dhe Listës Serbe e në prapaskenë koordinohej pa pengesa me ta.

Edhe diçka ministre, pyete shefin tënd çka bisedoi me Slavko Simiqin në atë takimin që e ka mbajtur “në orën 11 te kryeministri” me lejen e Milan Radojçiqit?!