Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe njëherit kryetar i Gjakovës, Ardian Gjini, thotë se si komunë nuk janë të kënaqur për ndarjet buxhetore.
Gjini tha se Qeveria e Kosovës nuk ka ndarë buxhet për projekte të reja.
“Qeveria e Kosovës në asnjërën prej linjave nuk ka ndarë buxhet për projekte të reja në Gjakovë që nuk është mirë kështu, por sido qoftë ecim më tutje”, tha ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.
Ndërkohë për ndarjen e 100 eurove për fëmijët dhe pensionistët thotë se është vendim populist.
“Këto janë vendime populiste, janë vendime me efekt shumë afatshkurtër për njerëzit. Unë e di që gëzohet dikush që i merr 100 euro ose pak më shumë, krejt në rregull. Mirëpo, shpenzimi i dhjetëra milionave të buxhetit të shtetit në këtë mënyrë nuk ka efekt afatgjatë, d.m.th efektet janë shumë më të shkurta, janë elektorale, janë efekte për me bë dikë me u ndie mirë përkohësisht. Mirëpo, ne kemi nevojë për politika afatgjate, politika që e bëjnë një jetë më të mirë”, shtoi Gjini.
Qeveria e Kurti është akuzuar për diskriminim në buxhet për disa komunat. Sipas opozitës, janë favorizuar komunat që drejtohen nga Vetëvendosje, ku shumica e buxhetit të paraparë për investime kapitale është ndarë për 4 komuna. Ndërsa, ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se për komunat do të ketë mbështetje rekord me buxhet.