Sport

Gjiganti europian pritet ta paguajë klauzolën e Nico Williamsit

By GAZETA SCANNER

December 22, 2024

Nico Williams dominoi titujt e gazetave gjatë tërë verës dhe ani pse Barcelona kishte besim se do ta mbyllte transferimin e tij, ai mbeti tek Athletic Bilbao për të paktën edhe një sezon.

Sidoqoftë, duket se saga për të ardhmen e tij nuk ka marrë fund dhe ajo do të testohet sërish në vitin 2025.

Barcelona ende e ka Williams si një opsion për verën e ardhshme, por ai më nuk është një objektiv kryesor për klubin.

Kjo gjë i ka lejuar klubet e tjera që të shprehin interesimin e tyre, ku disa prej Ligës Premier janë të etur për të siguruar shërbimet e reprezentuesit spanjoll.

Megjithatë, sipas raportimeve të fundit nga Franca, Paris Saint-Germaini është i vendosur që ta transferojë 22-vjeçarin.

PSG-ja ka pasur vështirësi këtë sezon, veçanërisht në Ligën e Kampionëve dhe Luis Enrique nuk është i lumtur me opsionet që ka në fazën e sulmit.

Për këtë arsye një lëvizje për Williams është duke u konsideruar dhe deri në këtë moment, thuhet se kampioni francez nuk e ka problem që ta paguajë klauzolën e tij të lirimit.

Williams ka një klauzolë lirimi prej 60 milionë eurosh, por përveç asaj drejtuesit e klubit francez do të duhej të bënin punë të madhe për ta bindur lojtarin që t’i bashkohet projektit të tyre.