Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur ditën e sotme, ku një 39-vjeçare bashkë me 3 fëmijët e saj (trupi i njërit prej fëmijëve u gjet), dyshohet të jenë vetë-mbytur në lumin Buna, pas dhunës së ushtruar nga kryefamiljari.
Peshkatari Safet Hasani, i cili gjeti trupin e pajetë të 9-vjeçares, ka rrëfyer për emisionin “Review” në Euronews Albania, momentet e para kur ai pikasi viktimën.
Ai tha se ishte duke gjuajtur peshk, kur pa diçka të dyshimtë, të cilën nuk po e dallonte nëse ishte njeri apo kukull.
Hasani tha se pasi e pa me dritën e telefonit për disa minuta, njoftoi Policinë, të cilët zbuluan më pas se ishte trupi i 9-vjeçares.
“Isha duke gjuajtur peshk, me dritë të telefonit pashë diçka poshtë atje në thellësi rreth 1 metër ujë. Nuk isha i sigurt se çfarë ishte, a ishte ndonjë kukull, ose njeri. Pasi e pashë me dritë telefoni rreth 10 minuta, atëherë njoftova Policinë.
“Pasi e nxori Policia nga uji dhe aty konstatoi se ishte njeri. Që mbrëmë e deri në këto momente Policia ka qenë në vendngjarje. Ka qenë ora rreth 21:00, por telefonatën e kam bërë rreth 15-20 minuta me vonesë, sepse nuk e dija se çfarë ishte”, tha Hasani.