Botë

Gjermania: Izraeli ka përgjegjësinë për të siguruar furnizime humanitare në Gaza

By GAZETA SCANNER 1

January 31, 2024

Gjermania ka përsëritur thirrjen e saj ndaj Izraelit që të lejojë më shumë ndihma humanitare në Gaza. Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, tha se vendimi i përkohshëm i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) detyron qeverinë izraelite të marrë masa për të lehtësuar vuajtjet e civilëve palestinezë.

“GJND-ja ka theksuar edhe një herë qartë atë që është gjithashtu vendimtare për ne, se kjo vuajtje e tmerrshme filloi më 7 tetor, që të gjithë pengjet duhet të lirohen menjëherë, se Izraeli gjithashtu ka një përgjegjësi dhe se furnizimet humanitare duhet të sigurohen në Gaza”, tha Baerbock në një konferencë të përbashkët për media në Berlin me homologun e saj polak, Radoslaw Sikorski.

Baerbock tha se Gjermania vazhdon përpjekjet e saj diplomatike për lirimin e pengjeve, për masat për të garantuar sigurinë e Izraelit, si dhe për dërgimin e më shumë ndihmave humanitare për civilët në Gaza.

“Ne i qëndrojmë qartë detyrimeve tona humanitare”, shtoi ajo.

Izraeli ka nisur një ofensivë vdekjeprurëse në Rripin e Gazës pas një sulmi të Hamasit më 7 tetor, duke vrarë të paktën 26.751 palestinezë dhe duke plagosur 65.636 të tjerë.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), ofensiva izraelite ka shkaktuar zhvendosjen brenda vendit të 85 për qind të popullsisë së Gazës në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Në dhjetor të vitit 2023, Afrika e Jugut ngriti një rast në GJND, duke akuzuar Izraelin për dështimin në respektimin e angazhimeve të tij sipas Konventës së Gjenocidit të vitit 1948.

Gjykata e OKB-së, në vendimin e saj të përkohshëm javën e kaluar, vendosi se pretendimet e Afrikës së Jugut, janë të besueshme. Ai urdhëroi masa të përkohshme për qeverinë e Izraelit që të heq dorë nga aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.