Ministri gjerman i Mbrojtjes ka premtuar një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën me vlerë 500 milionë euro, tha zëdhënësi i Ministrisë për France Presse.
Këtë e bëri të ditur ministri Boris Pistorius gjatë një vizite të paparalajmëruar në Odesa, në jug të Ukrainës, ku foli me kolegun e tij Rustem Umerov, shtoi zëdhënësi. Paketa përfshin dërgesa të artilerisë, mbrojtjes kundërajrore, dronëve, mbrojtjes.
Sipas deklaratave të Pistorius, siç raportojnë mediat gjermane, kjo paketë armësh, një pjesë e së cilës është gati për dorëzim, përmban një numër të madh raketash për sistemet e mbrojtjes kundërajrore të tipit Iris-T SLM me rreze të mesme veprimi.
Pas fillimit të pushtimit rus në shkurt 2022, Gjermania hoqi dorë nga pozicioni i saj tradicionalisht pacifist dhe u bë furnizuesi i dytë ushtarak i Ukrainës për nga vlera absolute, pas SHBA-së.
Berlini furnizoi një numër të madh armësh të ndryshme, nga artileria deri te automjetet e blinduara luftarake.
Megjithatë, kancelari Olaf Scholz është kritikuar muajt e fundit për refuzimin e dhënies së raketave me rreze të gjatë veprimi Taurus, pasi Gjermania ka frikë se raketat mund të përdoren për të goditur objektivat në tokën ruse.