Ekonomi

Gjermani: Paga dinjitoze, por punëtorë s’ka

Me gjithë ngadalësimin gjithnjë e më evident të ekonomisë së parë të Bashkimit Evropian, Hekurudhat gjermane (DB) vuajnë për fuqi punëtore të kualifikuar.

Sipas vlerësimeve aktuale, DB do të duhet të zëvendësojë më shumë se 200,000 punëtorë përgjatë pesë viteve të ardhshme, shkruan Bild.

Arsyeja kryesore për problemet me staf qëndron në faktin se shumë punonjës aktual shumë shpejt do të dalin në pension, ndërsa pagat në këtë sektor sillen nga 34,000 deri në 52,000 Euro në vit, në varësi të pozitës dhe përvojës së punëtorit.

Martin Seiler, kreu i burimeve njerëzore në DB, thotë se deri në fund të vitit 2019, kompania duhet të punësojë më shumë 24,000 punëtorë të rinj. Po aq punëtorë të rinj priten të punësohen edhe vititn e ardhshëm, sipas administratës së DB.

Në të njëjtën kohë, për shkak të paketës ambicioze kundër ndryshimeve klimatike, qeveria federale gjermane planifikon të rrisë investimet në hekurudh dhe rrjedhimisht në këtë sektor do të krijohen 8,000 vende të reja pune.

Aktualisht, DB janë në kërkim të drejtuesve të lokomotivave, stafit shërbyes dhe atij të TI-së, por edhe inxhinierë civilë dhe të elektros. Brezat e ardhshëm të trenave duhet të jenë më të saktë dhe më të fuqishëm për të parandaluar vonesat dhe anulimet e padëshiruara.

Por cila është paga në këtë sektorë. Përgjigja është e thjeshtë, varet nga lloji i punës. DB aktualisht punëson rreth 500 profesione të ndryshme, mes tjerash kuzhinierë, punonjës zyrash, inxhinierë dhe profesionistë të TI-së. Drejtuesit e lokomotivave fitojnë mesatarisht 38,000 Euro, por pagat e tyre mund të arrijnë deri në 50,000 Euro. Të ardhurat e përcjellësit sillen nga 34,000 Euro deri në 46,000 Euro në vit (shuma bruto), ndërsa stafi i restoranteve hekurudhore fiton ndërmjet 33,000 Euro dhe 37,000 Euro në vit. Punëtorët në shërbimin e klientëve fitojnë të ardhura vjetore ndërmjet 34,000 Euro dhe 46,000 Euro, ndërsa këshilltarët e udhëtimit dhe shitësit e biletave mund të fitojnë deri në 39,000 Euro..

Ndërtuesit e hekurudhave marrin mesatarisht deri në 42,000 Euro bruto në vit, dhe pagat e tyre varen nga përvoja e punës dhe pagesa për punë gjatë pushimeve, fundjavave dhe ndërrimet e natës. Teknikët e kontrollit dhe sigurisë fitojnë, mesatarisht, pagën më të lartë vjetore, e cila mund të shkojë deri në 52,000 Euro, ndërsa paga të përafërta kanë edhe dispeçerët e ngarkuar me kontrollin hekurudhor, roli i të cilëve është i krahasueshëm me kontrollorët e fluturimit.