Ballina

Gjenerali Wesley Clark pranon dekoratën “Ibrahim Rugova”, e ndarë nga i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku

By GAZETA SCANNER 1

June 23, 2024

Gjenerali amerikan Wesley Clark ka pranuar dekoratën ” Ibrahim Rugova”, të ndarë nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku për rolin dhe kontributin e tij për çlirimin e Kosovës.

Abdixhiku duke falënderuar për kontributin e tij të dhënë gjatë luftës së fundit në Kosovë, tha se gjenerali Clark është pjesë e historisë së republikës së Kosovës.

“Prania juaj sot këtu është një dëshmi e thellë e lidhjeve të qëndrueshme të miqësisë dhe solidaritetit që keni përfaqësuar përmes shërbimit tuaj të jashtëzakonshëm dhe mbështetjes themelore për popullin e Kosovës. Gjeneral Clark, emri juaj është i gdhendur në themelet e historisë së Kosovës si simbol i guximit, lidershipit dhe i një përkushtimi të palëkundur për drejtësi dhe paqe. Zoti ju bekoftë juve dhe popullin e Amerikës”, tha ai teksa ndau dekoratën ‘Ibrahim Rugova”, duke shtuar se liria erdhi edhe nga ndihma e shteteve mike e në veçanti ShBA-së.

“Gjeneral Clark, kjo dekoratë jo vetëm që simbolizon vlerësimin tonë të thellë, por edhe njohjen tonë për vlerat që ju përfaqësoni – vlera që përputhen ngushtë me vizionin e udhëheqësit tonë të nderuar, Dr. Ibrahim Rugova”

Ndërkaq Clark gjatë fjalës së tij tha se populli i Kosovës ka kaluar një periudhë të vështirë gjatë luftës së fundit.

“Faleminderit shumë Lidhja Demokratike e Kosovës, sa herë që kthehem këtu, befasohem me progresin që është bërë”, tha gjenerali Clark.

Clark u mirëprit nga Abdixhiku në Selinë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, teksa po vazhdon vizitën e tij në Kosovë.

Wesley Clark shërbeu si Komandant Suprem i Aleatëve në Europë i NATO-s nga viti 1997 deri në vitin 2000, duke komanduar Operacionin e Forcave Aleate gjatë luftës në Kosovë. Ai kaloi 34 vjet në ushtrinë amerikane, duke marrë shumë dekorata ushtarake, disa tituj nderi dhe Medaljen Presidenciale të Lirisë. /EO/