Kulturë

Gjeneral Lama boton librin “UÇK përballë shpifjeve”

By GAZETA SCANNER 1

March 28, 2022

Shtëpia botuese “Olymp” nga Prishtina ka nxjerr nga botimi libri “UÇK përballë shpifjeve” të autorit Kudusi Lama, raporton Scanner.

Gjeneral Lama, një prej autorëve me kontribute të çmuara në fushën e mendimit shqiptar në njëzetvjetshin e pasluftës së Kosovës, përmes këtij libri i kundërvihet gjykimit të padrejtë që Gjykata Speciale në Hagë po ushtron ndaj ish-liderëve të UÇK-së dhe ish-liderëve të Kosovës.Ky libër, me theks të veçantë i kundërvihet raportit famëkeq të ish-senatorit dhe ish-prokurorit zviceran, Dick Marty, si dhe dokumenteve politike e propagandistike të sponsorizuara nga shtetit serb kundër luftës së UÇK-së, siç është libri “Engjëjt e zinj të skëterrës Kosovare – Dosjet sekrete”.

“Duke u ndodhur para një dëmi të madh – pra para një mashtrimi të pabesueshëm në të cilin ka rënë dhe është gjunjëzuar drejtësia evropiane, gjeneral Lama jep një ekspertizë juridike të aspekteve ushtarake, me një gjuhë të drejtpërdrejtë, me informacione direkte dhe me ballafaqim pa pardon. Ai e dekonstrukton tërësisht Raportin e Marty-t duke e nxjerr lakuriq si një dokument politik që nuk i bën nderë drejtësisë evropiane, përkundrazi, e turpëron atë. Në analizën e gjeneral Lamës raporti i Dick Marty-t del të jetë hiç më pak se një vazhdim apo zgjatim i dokumenteve të shumta historike serbe me karakter gjenocidal kundër Kosovës dhe në përgjithësi shqiptarëve”, ka shkruar në parathënien e këtij libri, redaktori Arben Veselaj.

Sipas redaktorit Veselaj, me këtë libër gjeneral Lama ngreh shqetësimin se si ndërgjegjja politike dhe intelektuale e botës shqiptare për tërë këto vite nuk po arrin të ofrojë fakte dhe dëshmi, për t’i rrëzuar pretendimet monstruoze të përfaqësuesve të drejtësisë ndërkombëtare me seli në Hagë; se si Prokuroria e Gjykatës Speciale po e zëvendëson atë serbe; se si drejtësia evropiane është shndërruar në një instrument politik kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës etj.

Gjenerali i luftës së Kosovës, Kudusi Lama, është autor i disa librave nga fusha e studimeve ushtarake dhe të sigurisë. Ai gjithashtu ka botuar edhe disa libra publicistikë dhe nga fusha e mendimit politik.