Lajme

Gjenden trupat e 14 viktimave nga përmbytjet katastrofike në Bosnjë e Hercegovinë

By GAZETA SCANNER 1

October 04, 2024

 

Ministri i Mbrojtjes i Bosnjës dhe Hercegovinës, Zukan Helez tha se deri më tani sipas informacioneve të ende të pakonfirmuara janë 20 viktima si pasojë e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve katastrofike në këtë shtet.

Ai tha në Al Jazeera Balkans se pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Bosnje-Hercegovinës, të policisë dhe të forcave ndërkombëtare janë të angazhuar dhe po merren me gjendjen në terren. “Ne do të kërkojmë ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare dhe vendet e tjera”, shtoi ai.

Ky informacion ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Ministria e Brendshme.

Ndërkohë, Darko Juka, zëdhënës i Qeverisë së kantonit Hercegovinë-Neretva, ka bërë të ditur se janë gjetur 14 kufoma dhe se ka edhe viktima të tjera, gjersa situata më kritike është në zonën e Jabllanicës së Poshtme.

“Gruaja shtatzënë, fëmija i së cilës vdiq në barkun e saj, u evakuua nga zonat e prekura nga përmbytjet në jug të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe u operua në Mostar”, tha Lamija Duranoviq, drejtoreshë e Spitalit Kantonal “Dr. Safet Mujiq”, për Radion Evropa e Lirë.

Presidenca e Bosnje-Hercegovinës ka marrë vendim për angazhimin e Forcave të Armatosura të Bosnjë-Hercegovinës në Jabllanicë, e cila u godit nga një përmbytje katastrofike pas reshjeve të mëdha të shiut gjatë natës së kaluar.