Lajme

Gërxhaliu: Diaspora do të goditet më së shumti nga Byroja për Konfiskimin e Pasurisë

By GAZETA SCANNER 1

August 25, 2023

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu ka thënë se me funksionalizimin e Byrosë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme do të goditet më së shumti diaspora.

Në një postim në Facebook, Gërxhaliu e ka quajtur eksperiment një gjë të tillë, e se sipas tij mund të ketë pasoja negative tek shoqëria dhe shteti.

“Kur ligjet bëhen me tendencë për interesa partiake e jo në funksion të shtetit pasojat mund të jenë të dëmshme”, ka shkruar ai mes tjerash.

Postimi i plotë:

Nga funksionalizimi i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do të goditet më së shumti diaspora

Çdo eksperiment me sistemin e drejtësisë mund të ketë pasoja negative tek shoqëria dhe shteti.

Kjo vjen në shprehje sidomos kur mungon dialogu i mirëfilltë në mes të akterëve relevant brenda një shteti.

Kur ligjet bëhen me tendencë për interesa partiake e jo në funksion të shtetit pasojat mund të jenë të dëmshme.

Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe funksionalizimi i saj me ketë form siç po prezentohet dhe në këtë kohë do të jetë një goditje direkte për diasporën dhe mërgimtarët.

Kontributi i diasporës është i pakontestuar dhe në këtë drejtim duhet kuptohet e vërteta se përmes bankave dhe institucioneve financiare dërgohet një pjesë e madhe për Kosovën, por pjesa më e madhe e parave nga diaspora vijnë gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë që është tre fishi i asaj që dërgohet në forma bankare.

Kemi një diasporë punëtore e cila punon shumë jashtë orarit të punës dhe ndoshta nga dy punë vetëm për qëllimin e ndihmesë dhe investimeve në Kosovë.

Investimet më të mëdha të diaspos janë në patundshmëri dhe është një pjesë e parave ndoshta mund edhe të jetë fituar jashtë orarit të punës.

Të gjitha këto që i thashë më lart mund të kenë efekte negative në qoftëse kërkohet deklarimi i origjinës së parave ku diasporës mund t’i verifikohen edhe paratë nga organet e shtetit ku veprojnë dhe jetojn.