Lajme

Gërvalla: Suedia po bisedon me anëtarët për aplikimin tone në BE

By GAZETA SCANNER 1

May 22, 2023

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, deklaroi se shpreson që Presidenca suedeze e Këshillit të Bashkimi Evropian të ketë rezultate konkrete në bisedat që po bën me anëtarët e tjerë të Unionit në lidhje me aplikimin e Kosovës për në BE.

Këto deklarata, Gërvalla i bëri pas takimit në Bruksel të ministrave të BE-së, ku në Këshillin e Punëve të Jashtme u diskutua për situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Gërvalla tha se në këtë takim e kanë paraqitur qartë pozicionin e Kosovës në lidhje me raportet me Serbinë ndërsa kanë kujtuar se Beogradi zyrtar në vazhdimësi refuzon të zbatojë marrëveshjen e 27 shkurtit të arritur në Bruksel dhe aneksin e saj të 18 marsit në Ohër.

“Kam paraqitur qëndrimin e Republikës së Kosovës që në marrëveshjen që kemi lidhur në Bruksel dhe fazën e implementimit në Ohër e shohim si një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe që presim nga Serbia edhe pse sinjalet janë jo të mira, ngaqë jeni vetë dëshmitarë, që presidenti Vuçiq, ministri i Jashtëm Daçiq por edhe shumë të tjerë, në vazhdimësi jo vetëm refuzojnë implementimin por shpesh edhe mohojnë ekzistencën e një marrëveshjeje të tillë. Ka pasur intervenime të ndryshme nga disa ministra të cilat e kanë shprehur rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe mendoj që pozicionin e Republikës së Kosovës e kemi shfaqur shumë qartë”, deklaroi Gërvalla.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës foli edhe për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian ku deklaroi se Suedia ende është duke biseduar me shtetet anëtare rreth kësaj kërkese, por tha se ky shtet gjatë presidencës së saj është treguar i gatshëm për të çuar përpara kërkesën e Kosovës.

“Ne shpresojmë që Presidenca suedeze të finalizojë bisedat që po zhvillon me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe të vijnë me një rezultat konkret, parashikimi se cili mund të jetë rezultati dhe kur nuk jam në gjendje të jap se nuk do të ishin serioze por besoj që me qasjen të cilën Suedia ka pasur gjatë presidencës së saj është treguar shumë e gatshme për të çuar përpara kërkesën tonë dhe për të biseduar me të gjithë anëtarët, pra edhe me ata që janë përkrahës të kërkesës sonë dhe me ata që hezitojnë pak më shumë”, tha Gërvalla.

Gërvalla tha se takimet e tilla ku marrin pjesë edhe ministrat e Jashtëm të Ballkani Perëndimor janë mundësi e mirë për të diskutuar sfidat për të cilat është duke kaluar Evropa dhe rajoni ynë.

“E rëndësishme është gjithashtu që Evropa ka filluar, Bashkimi Evropian ka filluar të ndërgjegjësohet që Ballkani Perëndimor jo vetëm që është pjesë gjeografike e Evropës por duhet edhe më shumë të afrohet politikisht me Bashkimin Evropian me qëllim që në një të ardhme integrimi të jetë i shpejtë dhe i natyrshëm”, tha Gërvalla.

Përpos Gërvallës, në këtë takim në Bruksel morën pjesë edhe ministrat e Jashtëm nga pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.