Lajme

Gërvalla: RTK nuk e ka censuruar Kuvendin

By GAZETA SCANNER 1

October 16, 2024

Deputetët e Opozitës gjatë ditës së sotme kanë akuzuar RTK-në për mos transmetimin e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit.

Madje ata kanë protestuar edhe para Radio Televizionit të Kosovës.

Seancë ka qenë e thirrur nga opozita për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Lidhur me këtë ka ardhur reagimi nga vetë Drejtori i Televizionit në RTK, Rilind Gërvalla.

Ai ka hedhur poshtë akuzat e deputetëve të opozitës.Gërvalla ka thënë se seanca e Kuvendit është transmetuar e plotë.

RTK nuk e ka censuruar Kuvendin, asnjë fjalim të vetëm. Kuvendi është transmetuar në kanalin e tretë të RTK-së”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se seanca nuk është transmetuar në kanalin e parë, pasi qysh javë më parë ka qenë i planifikuar transmetimi i 25-vjetorit të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, aktivitet ky i cili është mbajtur sot dhe vazhdon edhe nesër.

“Në mesin e folësve aty janë edhe të mbijetuarat e dhunës seksuale që i ka kryer Serbia në Kosovë. Do të flasin nobilistë të paqes dhe kanë qenë edhe krerët e shtetit. Ne i kemi tri kanale në gjuhën shqipe, por nuk kemi kanal të dedikuar për Kuvendin. Prandaj akuzat e tilla, në një kohë kur fliste një e mbijetuar e dhunës seksuale, e deputetët të mbajnë një konferencë ose protestë ndaj RTK-së që se ka transmetuar Kuvendin në kanalin 1, mendoj se nuk janë gjeste të pjekura as politike”, ka theksuar Gërvalla.