Ballina

Gërvalla: Nuk zbatojmë variantin e BE-së për Asociacionin

By GAZETA SCANNER 1

May 24, 2024

Ministrja e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla tha se qeveria e Kosovës nuk do të zbatojë variantin e propozuar nga Bashkimi Evropian për themelimin e Asociacionit nëse Serbia nuk zbaton detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja e Brukselit.

“Ne nuk e zbatojmë atë draft, që është në kuadër të procesit të Brukselit, pa u zotuar Serbia që edhe ajo të zbatojë pjesën e saj të punës. Prandaj duhet t’i ndajmë gjërat ose po e trajtojmë Asociacionin në Bruksel ose po e trajtojmë në Kosovë. Por dy proceset nuk mund t’i lidhim bashkë”, deklaroi Gërvalla për Zërin e Amerikës.

Gërvalla tha se vjeshtën e kaluar qeveria e Kosovës dërgoi komentet e saj mbi këtë variant të BE-së, por deri tani nuk ka marrë përgjigje. “Ai dokument në formën që është dhe në suazat që është dorëzuar nuk është në gjendje të dorëzohet nga ana jonë në Gjykatën Kushtetuese”.

Mosmarrja e masave konkrete drejt krijimit të Asociacionit pamundësoi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Gërvalla i cilësoi si “politike, të padrejta dhe të paarsyeshme kërkesat e disa vendeve të Bashkimit Evropian, që Prishtina të hedhë hapa konkrete drejt krijimit të Asociacionit me qëllim anëtarësim në Këshill.

Ministrja Gërvalla tha qeveria është e gatshme për zgjedhje të parakohshme parlamentare, kurdo që opozita është e gatshme, por nëse për këtë ka konsenseus mes të gjitha forcave politike. “Ne nuk mund të shkojmë në zgjedhje me partnerë selektivë nga opozita”, tha ajo.