Lajme

Gërvalla ndan detaje për hapjen e Konsullatës së Kosovës në Strasburg

By GAZETA SCANNER 1

October 23, 2024

Të mërkurën është inauguruar objekti i ri i Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Strasburg nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Strasburg, Ambasadori Lulzim Hiseni.

Përmes një postimi nga Gërvalla, thuhet se objekti i sapo inauguruar është pronë e Kosovës dhe vjen pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të blerë hap pas hapi objektet e misioneve të Kosovës jashtë vendit.

Gërvalla ka thënë se tani në Strasburg, flitet për standardet demokratike, për sundimin e ligjit, për të drejtat e njeriut dhe është e lumtur që sërish këtë vit, të gjitha institucionet ndërkombëtare të besueshme e kanë konfirmuar Kosovën si kampion të demokracisë dhe sundimit të ligjit në rajon.

Objekti i ri i Konsullatës, me një sipërfaqe prej 350 m², është i vendosur në një zonë strategjike ngjitur me qendrën historike të qytetit, prapa katedrales së njohur “Saint Paul” dhe në mes të aleatëve më të fortë të Kosovës, misionit diplomatik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Gjermanisë. Objekti i sapo inauguruar është pronë e Republikës së Kosovës dhe vjen pas vendimit të Qeverisë së Republikës për të blerë hap pas hapi objektet e misioneve të Kosovës jashtë vendit. Tashmë janë blerë objektet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Senegal dhe Kroaci”, ka shkruar Gërvalla.

 

Ndërkaq, Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, njoftoi se janë në proces të blerjes së objekteve të ambasadave në pesë shtete tjera.

Derisa ka përmendur se gjatë ditës së djeshme është përuruar objekti i ri i Konsulatës së Kosovës në Strasburg të Francës, Kurti tha se pas blerjes së objektit të ambasadave në ShBA, Angli, Kroaci e Senegal, tashmë objekte do të blihen edhe në Itali, Turqi, Gjermani dhe Kanada.

“Dje përuruam objektin e ri të Konsulatës tonë në Strasburg që tashmë është pronë e shtetit dhe shtëpi e përhershme e Republikës së Kosovës. Po vazhdojmë me blerjen e objekteve të ambasadave tona në shtetet kyçe për shërbimin tonë diplomatik. Pas blerjes së objektit të ambasadave në ShBA, Angli, Kroaci, Senegal e tash në Strasburg, në proces të blerjes janë edhe objektet e ambasadave në Itali, Turqi, Gjermani dhe Kanada”, ka deklaruar Kurti në mbledhje.