Lajme

Gecaj kërkon dorëheqjen e Haxhiut, pasi Hajrizi i arratisur nga burgu dyshohet që vrau policin serb

By GAZETA SCANNER 1

July 18, 2024

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Hysen Gecaj ka thënë se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu do duhej të jepte dorëheqje morale, pasi i arratisuri nga burgjet e Kosovës, Faton Hajrizi është i dyshuar për vrasjen e një polici në Serbi.

Gecaj ka thënë se arratisja e Hajrizit është një nga “çalimet” në Ministrinë e Drejtësisë.

“Kur kemi të bëjmë me përgjegjësinë atëherë duhet të shikohet hierarkia, cili nivel në hierarki mban përgjegjësi dhe nëse i referohemi kësaj atëherë për fat të keq Ministria e Drejtësie jo vetëm për këtë çështje ka çaluar në një varg çështjesh deri më tani. Ky rast kur shikohet si një nga disa rastet që ka pasur lëshime, atëherë duhet të ketë një akt moral. Janë dy çështje, ose të gjendet dhe të argumentohet ku ka çaluar në zinxhirin komandues dhe përgjegjësia e kujt është dhe të argumentohet, ose që të jepet dorëheqje morale që mban në postin e ministres zonja Albulen Haxhiu”, ka thënë ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë 1.

Gecaj ka thënë se për rastin e vrasjes së policit në Serbi, ku dyshohet që është i përfshirë Faton Hajrizi, përgjegjësi bartin edhe institucionet e Kosovës.

“Institucionet e Kosovës bartin përgjegjësi, duke pas parasysh që kryesi potencial i këtij akti është i arratisur prej burgut dhe kjo nënkupton që ka ende një lidhshmëri në aspektin e përgjegjësisë me të arratisurin dhe kryesin potencial të kësaj vepre, prandaj organet tona me vigjilencë duhet ta përcjellin këtë situatë, të kontaktojnë me të gjithë faktorët e mundshëm me të cilët mund të komunikohet të zgjidhet kjo dilemë”, ka thënë ai.

Policia e Serbisë ka thënë se në veturën ku ka qenë personi që ka gjuajtur ndaj policëve janë gjetur dokumente të një shtetasit të Kosovës me emrin Artan Hajrizi, vëllai i Fatonin.

Por, Artan Hajrizi gjatë ditës është deklaruar nga Gjermania, ku ka thënë se Fatoni ia ka marrë dokumentet e tij.

Dy persona janë arrestuar për këtë rast të cilët dyshohen se kanë ndihmuar ikjen e Faton Hajrizit.