Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxheri ka thënë se kjo parti është duke punuar që deri në vjeshtë të këtij viti të përfundojë mbajtjen e të gjitha kuvendeve komunale.
Sipas Gaxherrit, ka një atmosferë të unifikimit brenda LDK-së, dhe se tashmë siç tha ajo, janë duke u përzgjedhur edhe kryetarët e rinj për degët komunale.
“Ne kemi planifikuar deri në vjeshtë t’i kryejm edhe këto degët në të cilat kanë mbetur pa u mbajt kuvendet. Është një atmosferë shumë pozitive në vend, është një atmosferë e unifikimit brenda Lidhjes Demokratike duke e pa rrezikun që po ndodhë dhe është e vërtetë që ne po pretendojmë dhe po mundohemi që përveç se me qenë të hapur, ne i kemi pasur disa degë ku kemi qenë më keq edhe pse jemi subjekti i parë politik në zgjedhjet lokale, megjithatë i kemi pasur disa degë të cilat të cilat i kemi pasur keq dhe kemi punuar më shumë në ato degë i kemi përzgjedhë tashmë kryetarët dhe me të drejtë besojmë se do të jemi më mirë se kemi qenë edhe para zgjedhjeve lokale”, tha ajo në emisionin InfoNata në Tëvë1.
Teksa Gaxherri theksoi se nuk ka personalitet më të përgatitur në komunën e Gjilanit se ish-kryetari Lutfi Haziri.
“Për shembull në Ferizaj, në Gjakovë me Mitrovicën ende se kemi kryer pra këto qendrat e mëdha të cilat ne i kemi pasur… po natyrisht këta që i kemi pas dhe kanë pasur sukses i kemi prapë dhe faleminderit prej tyre. Ne jemi shumë falënderues ndaj zotëri Hazirit që ka pranuar prapë me mbajtë dhe ka punuar shumë mbas humbjes së zgjedhjeve. Sepse ne të gjithë e dimë që zgjedhjet janë humbë për shkak të bashkimit të të gjitha partive kundër zotit Haziri për shumë pak, dhe kemi shumë besim se nesër, pasnesër do ta kthejmë prapë atë komunë. Nuk mund të kemi tash për tash ndoshta personalitet më të përgatitur në Gjilan duhet të jemi të sinqertë por unë jam shumë e sigurt që zoti Haziri me kohën do të përgatitë kuadro, por kemi degë të cilat tash kemi pasur nevojë me u hapë dhe me ofru njerëz dhe po shpresojmë se deri dikund edhe në ato degë kemi bërë zgjidhje”, tha ajo.
Kurse sa i përket akuzave për manipulim nga ish-kreu i LDK-së në Podujevë, Agm Veliu, Gaxherri ka ftuar Veliun që ta vazhdojnë rrugën e tyre bashkë në LDK.
“Fatkeqësisht nuk kam mundur me qenë atë ditë në kuvend në Podujevë unë edhe me këtë rast i uroj doktorit sukses dhe e ftoj mikun tim Agim Veliun që ne të vazhdojmë rrugën. Zotëri Veliu ka vlerat e veta, duhet të jetë një figurë e respektuar ka vlerat dhe ka kontributin e vet e ka vendin e vet dhe ne duhet veç nganjëherë sepse ne njerëz jemi të gjithë nuk guxojmë të lejojmë të na mundin emocionet ose pakënaqësitë. Askush nuk është jo vetëm në LDK por në përgjithësi, që është gjithmonë i kënaqur por unë mendoj se ka hapësirë të mjaftueshme që me bashkëpunu dhe me ec tutje”, shtoi ajo.