Lajme

Gashi për letrën e Gërvallës: Iu dërgua personit të gabuar

By GAZETA SCANNER 1

May 16, 2024

Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, tha se letra e ministres së Jashtme, Donika Gërvalla për Asociacionin, i është dërguar njeriut të gabuar, raporton teve1.

Gjatë një deklarimi për medie para gazetarëve, Gashi tha se ministrja Gërvalla i dërgoi letër kryetarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, se Kosova po e përgatit Asociacionin, derisa shtoi se Asociacioni nuk ka qenë kërkesë e Asamblesë… fare.

“Letra e Gërvallës, një letër e çuditshme nga kuptimi përmbajtjesor dhe procedural, pasi Kosova ka mbet jashtë procesit për anëtarësimin në KiE në komitetin e ministrave dhe kjo letër shfaq që i drejtohet personit të gabuar. Nga ajo që ka dalë publike është që i drejtohet kryetarit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, ajo e ka kryer punën dhe nuk ka përse t’i thuhet atij për Asociacionin sepse Asociacioni nuk është kërkesë e KiE-së. Një përgjigje natyrale e kryetarit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së do të ishte: pse ma ke dërgu këtë letër mua kur tash kjo është jashtë fushës së veprimit të Asamblesë Parlamentare? Asambleja ka marrë vendim dhe e ka aprovuar raportin, raporti nuk parasheh kërkesën për themelimin e Asociacionit”, tha Gashi. Ai para seancës parlamentare që pritet të mbahet sot, tha se do të votohen marrëveshjet ndërkombëtare që janë ën rend të ditës në kuvend.