Robeto Gagliardini largohet nga Interi pas rreth shtatë sezonesh, ndërsa ndodhej në ditët e fundit të kontratës me “zikaltërit”.
Në një publikim në rrjetet sociale, Inter bën me dije se mesfushori nuk do të jetë më pjesë e ekipit të tyre.
“Duke u bashkuar me zikaltërit në janar 2017 nga Atalanta, Roberto Gagliardini largohet nga Interi pasi ka luajtur 190 ndeshje, në të cilat shënoi 16 gola. Ai fitoi një titull, 2 Superkupa të Italisë dhe 2 Kupa të Italisë. Këtë sezon të fundit ai realizoi gjithsej 29 paraqitje, duke qenë pjesë e grupit që ngriti në qiell Superkupën e Italisë duke fituar kundër Milanit në Riad dhe Kupën e Italisë, në triumfin në Romë ndaj Fiorentinës. Falenderime për Gagliardinin nga e gjithë familja e Interit”-shkruhet në reagimin e klubit “zikaltër”.
Me skadimin e kontratës me Interin, Gagliardini tashmë është gati për një aventurë të re në Serie A, me fanellën e Monzas.