Llapi nuk ka arritur të fitojë më shumë se një pikë në udhëtim te Dukagjini, derisa Malisheva ka triumfuar ndaj Fushë Kosovës.
Skuadra e Batatinës barazoi te Dukagjini me rezultat 1:1, sfidë që ishte e hapur nga dy palët.
Pjesa e parë ishte mjaftë e barabartë, ku të dy skuadrat kishin raste shënimi por që s’i finalizuan.
Ishte Leotrim Bekteshi që kaloi Llapin në epërsi pas një aksioni të bukur (45+3’).
Megjithatë, Dukagjini e barazoi pastaj rezultatin me Ardin Dallkun që shënoi një gol të bukur (66’).
Të dy skuadrat tentuan t’i fitonin pikët e plota – mirëpo që assesi s’ia dolën.
Kësisoj, Llapi qëndron në pozitën e tretë me 55 pikë derisa Dukagjini zë vendin e gjashtë me 37 sosh.
Në anën tjetër, Malisheva ka vazhduar me rezultate pozitive duke triumfuar në udhëtim te Fushë Kosova, ku epilogu përfundimtar doli të jetë 1:3.
Rilind Hajrizi kaloi mysafirët në epërsi pas vetëm 13 minutave lojë.
Fushë Kosova u këndell në pjesën e dytë duke barazuar pas një aksioni të shpejtë (48’), por mysafirët e rikthyen menjëherë epërsinë me talentin Drilon Hazrollaj (54’).
Për fitoren u përkujdes Ilir Mustafa, duke shënuar një tjetër gol të bukur (66’).
Malisheva qëndron në pozitën e katërt në Superligën e Kosovës me 52 pikë derisa Fushë Kosova në vendin e parafundit me 20 sosh.