Robert Ibertsberger, asistenti i përzgjedhësit të Kosovës, Franco Foda, ka dhënë një intervistë për mediumin austriak 90minuten.at, ku ka rrëfyer për incidentet që ndodhën në ndeshjen mes Rumanisë dhe Kosovës në Ligën e Kombeve.
Ai ka thënë se fyerjet raciste nuk duhet të lejohen në sport dhe se në një moment u desh të dërgohej një sinjal se futbolli dhe shteti i Kosovës duhet të pranohen.
“Si staf, ne ishim më larg ultrasëve të cilët ishin të vendosur pas portës dhe nuk dëgjuam gjithçka që thirrej. Por në të vërtetë ishte e qartë që nga fillimi se kishim mungesë respekti, ne u fishkëlluam me zë të lartë gjatë intonimit të himnit”.
“Me kalimin e kohës gjithçka u komplikua. Një karrige u hodh në vijën e zonës së rrezikshme dhe nëse do të godiste një lojtar do të kishte shkaktuar një lëndim të rëndë”.
“Fatkeqësisht, pati incidente të ngjashme gjatë kualifikimeve të Kampionatit Evropian vitin e kaluar, lojtarët u zotuan të mos dilnin më në fushë”.
“Unë kurrë nuk kam përjetuar diçka të tillë më parë. Kjo nuk ka vend në sport. Në çdo rast, ne si ekip dhe staf i trajnerëve jemi plotësisht prapa ekipit”, ka thënë fillimisht Ibertsberger.
“Nuk mund të konfirmoj se ka pasur provokime nga ana jonë. Tashmë e kemi vërejtur në ndeshjen e parë në Prishtinë se rumunët janë sharë. Në atë kohë nuk e dinim saktësisht pse. Na u shpjegua se kjo ka ndodhur edhe në Rumani”.
“Por në atë kohë nuk përmendej diçka për fyerje raciste. Në një moment duhet të dërgohet një sinjal se futbolli kosovar dhe shteti i Kosovës duhet të pranohen”.
“Pesëmbëdhjetë minuta para përfundimit të lojës, thirrjet bëheshin gjithnjë e më të forta. Edhe pse gjyqtari ishte i përgatitur për këtë situatë, nuk ka reaguar. Pastaj kapiteni ynë dhe ekipi vendosën që ne të largoheshim nga fusha”.
“Ne u befasuam nga kjo për një moment dhe më pas folëm për këtë në dhomën e zhveshjes. Ne e kishim të qartë se si staf i trajnerëve nuk po përpiqeshim ta bindnim skuadrën të luante minutat e fundit, por se po e merrnim si deklaratë. Ne e respektuam këtë dhe jemi 100 për qind prapa ekipit”, përfundoi ai.
Kujtojmë se UEFA më pas mori vendimin për ta regjistruar këtë ndeshje me rezultat zyrtar 3-0 në favor të Rumanisë, teksa FFK-ja ishte dënuar edhe me 6 mijë euro gjobë.