Botë

FR, GJ dhe MB: Irani ka raketa balistike bërthamore

Në një letër të përbashkët drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, ambasadorët e Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë e Bashkuar kanë ripërsëritur se Irani ka zhvilluar raketa balistike të afta për të mbajtur mbushje bërthamore.

Ambasadorët theknsuan se aktivitetet e Iranit për zhvillimin e raketave balistike dhe teknologjitë e ndërlidhura me to janë në kundërshtim me një rezolutë të KB që kufizon një veprim të tillë.

Vendet evropiane, nënshkruese të marrëveshjes bërthamore me Iranin në vitin 2015, i kanë shkruar më parë KB-ve në lidhje me aktivitetin e supozuar bërthamor të Teheranit, duke pretenduar se këto aktivitete janë më të fundit në një seri të gjatë përparimesh në teknologjinë iraniane të raketave balistike.

Gjykuar nga vlerësimet e inteligjencës amerikane, Irani besohet se posedon arsenalin më të madh dhe më të larmishëm të raketave balistike në Lindjen e Mesme, me një inventar të konsiderueshëm të raketave me rreze të shkurtë dhe te mesme veprimi që mund të godasin objektiva në të gjithë rajonin.

Letra e dërguar rishtazi citon pamjet e një test fluturimi të një rakete të re balistike “Shahab 3”, e cila vlerësohet të arrij caqet në një rreze veprimi prej afërsisht 965 kilometra.

Për vite të tëra, SHBA-të dhe aleatet e saj kanë bërë përpjekje për të zvogëluar mundësinë e Iranit të zhvillojë një raketë balistike të aftë për të mbajtur mbushje bërthamore.

Ndërsa marrëveshja bërthamore e vitit 2015 nuk adresonte drejt për së drejti programin e raketave balistike të Iranit, rezoluta e Këshillit të Sigurimit të KB-ve i bënë thirrje Teheranit të përmbahet nga aktivitetet që lidhen me raketat balistike bërthamore. Në korrik të këtij viti, Irani kreu një test të një rakete balistike me rreze të mesme veprimi, “Shahab 3”, por, sipas ekspertëve, testimi i raketës nuk ka shkelur teknikisht asnjë rezolutë të KB-ve.  

Presidenti amerikan Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja në maj të vitit 2018. Megjithatë, kjo marrëveshje akoma mbështetet nga pesë kombe të tjera, si Mbretëria e Bashkuar, Kina, Franca, Gjermania dhe Rusia.