Lajme

Fqinji i viktimës tregon si ndodhi vrasja në Malishevë

By GAZETA SCANNER 1

August 31, 2023

Një person mbeti sot i vdekur në fshatin Balincë të Malishevës, pasi u qëllua me armë zjarri. Katër persona ndërkaq, janë arrestuar pas vdekjes së viktimës.

Dyshimet e para kanë të bëjnë me një borxh që të dyshuarit, i kanë pasur viktimës.

Një fqinj i viktimës në kushte anonimiteti i ka thënë Nacionales se borxhi kishte të bënte me shitjen e druve, me të cilat merrej viktima.

I dyshuari, sipas këtij burimi, i kishte pasur borxh viktimës. Kështu, viktima dyshohet se ka shkuar në shtëpinë e të dyshuarit dhe e ka sulmuar vëllanë e tij. Këta të fundit më pas, e kanë ndjekur viktimën me veturë dhe pas përleshjes, kanë qëlluar edhe me armë zjarri.

Ndërkohë, Sheremet Elezaj, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Gjakovës, ka konfirmuar se rasti ka ndodhur rreth orës 13:30.

Deri më tani, në lidhje me rastin janë arrestuar katër persona si dhe është konfiskuar një armë.

“Sot rreth orës 13:30 kemi pranuar informatë se një person mashkull i moshës madhore është dërguar në QKMF Malishevë, dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri në fshatin Balincë-Malishevë. Personeli mjekësor ka konstatuar vdekja e tij. Njësitet e nevojshme policore ju kanë përgjigjur rastit si dhe është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka dalë në vendin e ngjarjes, në konsultim me të cilin janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Deri më tani lidhur me rastin janë arrestuar katër persona të cilët dyshohen të jenë të përfshirë në rast, si dhe është konfiskuar një armë.” – ka thënë ai.