Lajme

Fondi Sovran, diskriminues apo fuqizues për ndërmarrjet publike në Kosovë?

By GAZETA SCANNER

September 15, 2024

Themelimi i tij nisi që prej dy vitesh.

E synimi i qeverisë Kurti për Fondin Sovran ishte gjallërimi i ekonomisë së Kosovës.

Megjithatë ky institucion financiar u kontestua nga partitë opozitare.

Nga këto të fundit, ligji madje u dërgua për vlerësim edhe në Gjykatën Kushtetuese.

E pas kaq kohësh, ende nuk dihet se si do të jetë drejtimi i këtij fondi.

Ndërkaq nga ekonomistët kritikohet si ligj diskriminues dhe në kundërshtim me parimin e ekonomisë së lirë të tregut.

“Është mirë që s’po ndodhë, intimisht po them, sepse kjo nuk ka premtu ndonjë rezultat në zhvillim se ka qenë një lloj forme e shtrirjes së mbikëqyrjes së qeverisë mbi pronësinë private dhe mbi pronësinë e ndërmarrjeve shoqërore, që nuk janë ndërmarrje shtetërore”, tha ish-ministri i ekonomisë, Haki Shatri.

Shatri madje kritikon qeverinë se Fondi është rikthim në një regjim të dështuar.

“Kjo qeveri po don ngadaldalë me kriju një ekonomi shtetërore të mbikëqyrur prej një partie në pushtet”, tha ai.

Por Fondi Sovran sipas ekonomistit Jakup Bellaqa ka një tjetër qëllim.

“Ekziston për të funksionalizu në aspektin ekonomik, me i fuqizu ndërmarrjet publike, me i bo më funksionale, më profitabile sepse 17 ndërmarrjet publike të cilat janë në Kosovë, vetëm KEK-u është me fitim vjetor neto, të gjitha ndërmarrjet tjera janë me humbje”m tha Bellaqa.

Nëpërmjet Ligjit për Fondin Sovran, e gjithë pasuria më e rëndësishme publike e Kosovës pritet t’i bartet këtij Fondi.

Fondi Sovran do të marrë përsipër ndërmarrjet publike të natyrës komerciale si Trepça, Korporata Energjetike e Kosovës, Posta, Telekomi, Hekurudhat Infrakos dhe Hekurudhat Trainkos, si dhe asetet me potencial zhvillimor që tani administrohen nga Agjencia e Privatizimit.