Sport

Florida pëson rritje të ndjeshme të ekonomisë falë transferimit të Messit tek Inter Miami

By GAZETA SCANNER 1

August 31, 2023

Nuk është ende në përmasat e Swiftonomics (efekti i Taylor Swift në ekonominë amerikane), por ndikimi ekonomik i ardhjes së Lionel Messi te Inter Miami është qartë i dukshëm në çdo aspekt të jetës në Miami. Ylli argjentinas, i cili u largua nga PSG, nënshkroi një kontratë prej 50 milionë dollarësh në vit me klubin amerikan.

Që atëherë, një furi e paprecedentë ka mbizotëruar. Në ditën e ndeshjeve të ekipit, presidenti i të cilit është David Beckham, baret dhe kafenetë nga Fort Lauderdale në Miami janë të mbushura plot. Përreth stadiumit ka kioska të panumërta që shesin pije joalkoolike, hot dog dhe veçanërisht fanella dhe shalle të skuadrës së Messit. Tashmë, llogaria e Inter Miami në Instagram është rritur nga 1 milion në 14 milionë ndjekës.

Për më tepër, kërkesa për fanella me emrin e Messi është aq e madhe sa dyqani online zyrtar i MLS e shtyu dorëzimin e tyre deri në tetor. Veçanërisht, fanella e Messi është më e shtrenjta në faqen e internetit të Adidas, e cila kushton 180 dollarë. Në të njëjtën kohë, çmimet e biletave kanë arritur çmime të paimagjinueshme. Për ndeshjet në shtëpi, çmimi mesatar është rritur nga 152 dollarë në 864 dollarë.

Jorge Mas tha në një intervistë në korrik se vlera e klubit mund të arrijë në 1.5 miliardë dollarë brenda vitit. Në fillim të këtij muaji, firma e investimeve Ares Management vendosi 75 milionë dollarë të tjera mbi Inter Miami, duke e çuar investimin e saj total në ekip në 225 milionë dollarë.

Fenomeni “Messi” nuk ndalet vetëm te biletat. Siaps një raporti nga “Athletic”, Apple, e cila luajti një rol kyç në përfundimin e transferimit, fitoi 300 mijë abonentë shtesë në korrik. Në këtë kohë, numri total i abonentëve është rritur në 1 milion, sipas “Sports Business Journal. “MLS Season Pass”, e cila kushton 99 dollarë në vit, është rritur me 300 mijë abonentë për shkak të Messit dhe sjell 29.7 milionë dollarë fitime shtesë.

Në vitet 1980, Miami, i referuar si një parajsë e humbur nga revista “Time”, përjetoi një bum ekonomik dhe të pasurive të paluajtshme kur u transmetua seriali televiziv “Miami Vice”. Kjo vazhdoi në vitet 1990, kur Madona bleu një rezidencë për 4,9 milionë dollarë. Në vitet 2000, Ricky Martin u zhvendos gjithashtu. Në fund të vitit 2000, LeBron James iu bashkua Miami Heat të NBA-së duke krijuar një dinasti të vogël.

Tani ardhja e Messi ka nxitur rritjen, investimet jo vetëm në Florida të Jugut, por në të gjithë shtetin. Sipas një sondazhi të cituar nga revista “Fortune”, ardhja e Messi mund të çojë gjithashtu në krijimin e vendeve të reja të punës. Kjo sepse emri i tij është një katalizator për investimet në infrastrukturë, nga përmirësimi i ambienteve sportive e deri te transporit, gjë që do të përmirësojë edhe cilësinë e jetës në qytet.