Sport

Fitojnë Liverpooli, Manchester City dhe Tottenhami, humb Chelsea

Me 10 lojtarë në fushë, Liverpooli e ka mposhtur 2-1 skuadrën e Brighton & Hove Albion për të shkuar në 11 pikë diferencë me Manchester Cityn… Tottenham e ka mposhtur 3-1 Bournemouthin, derisa Chelsea është mundur 0-1 në shtëpi nga West Ham United

Tjetër fitore për Liverpoolin në Angli.

Të besuarit e Jurgen Klopp kanë rrëmbyer pikët e plota, duke e mposhtur 2-1 në ‘Anfield’ skuadrën e Brighton & Hove Albion, ku për disa minuta luajtën me një lojtar më pak, pas përjashtimit të Alison.

Vendasit kanë shënuar dy herë brenda gjashtë minuta në pjesën e parë dhe që të dy golat i ka realizuar qendërmbrojtësi, Virgil Van Dijk, për t’ia dhuruar tri pikë të arta ekipit të Klopp.

Ai shënoi me kokë të dy golat në minutën e 18’ dhe 26’.

Në minutën e 76-të, Liverpooli mbeti me një lojtar më pak në fushë – portieri Alisson Becker doli jashtë zonës së tij për të prekur topin me dorë, çka e detyroi Atkinsonin ta ndëshkojë direkt me të kuq.

Përveç që mbeti me një lojtar më pak, Liverpool pranoi gol nga vendi ku Alisson kishte prekur topin me dorë.

Lewis Dunk i gjeti të hutuar portierin e sapo të inkuadruar të Liverpoolit, duke shënuar për 2-1, për ta bërë sfidën edhe më dramatike, por që vendasit u mbajtën deri në fund, për të fituar 2-1 dhe për të shkuar në 11 pikë diferencë me rivalin, Manchester Cityn.

Fitore ka arritur edhe Tottenham i jose Mourinhos, duke e mposhtur 3-1 skuadrën e Bournemouth.

Dele Alli shkëlqeu në këtë ndeshje me dy gola, derisa realizoi edhe Sissoko.

Befasia e javës ishte Chelsea, që u mund në shtëpi 0-1 nga West Ham United. /Gazeta Express/