Sport

Fitojnë Clippers dhe Rockets, nuk ndalen as Bucks

Vijojnë ulje-ngritjet për San Antonio Spurs në këtë sezon të NBA. Skuadra teksane pësoi një tjetër humbje këtë herë me rezultatin e thellë 109-134 brenda në AT&T Center ndaj Los Angeles Clippers.

Kalifornianët ishin shumë të fortë për skuadrën e Gregg Popovich që pësoi humbjen e 17-të sezonale ndërkohë që Clippers regjistruan fitoren e 22-të në 31 ndeshje.

Paraqitje pozitive e ishit të madh të sfidës Kawhi Leonard, autori i 26 pikëve për skuadrën nga Los Angelesi. Mori fitoren e 3-të rresht dhe të 5-ën në 6-të takimet e fundit  Houston Rockets që iu fal yllit të saj James Harden për të mposhtur me rezultatin 125-139 në transfertën e Arizonas, Phoenix Suns.

Me 47 pikë 6 rebound dhe 7 asiste, James Harden rezultoi basketbollisti më i mirë mbi parket ndërkohë një paraqitje të mirë bëri për skuadrën teksane edhe Rusell Westbrook, i cili koleksionoi 30 pikë 4 rebound dhe 10 asiste. Giannis Antetokounmpo realizoi një tjetër triple-double ndërkohë që Milwaukee Bucks mori fitoren e 26-të në 30 takime pasi kaloi New York Knicks në transfertë me shifrat 102-123. 22 pikë 11 rebound dhe 10 asiste koleksionoi Giannis Antetokounmpo, ndërkohë që në këtë fitore të Bucks luajti një rol të rëndësishëm edhe Middleton autori i 23 pikëve.

U rikthye te suksesi edhe Brooklyn Nets që kaloi me shifrat 122-112 Atlanta Hawks, pavarsisht paraqitjes super të talentit Trae Young në rradhët e skuadrës nga Georgia me këtë të fundit që koleksionoi në total 47 pikë.