Këtë javë Finlanda nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara, duke i dhënë qasje ushtrisë amerikane në bazat finlandeze. Javën e kaluar, Finlanda mbylli kufirin e saj me Rusinë, duke akuzuar Kremlinin për dërgim të imigrantëve si pjesë e një “lufte hibride”. Javën e kaluar autoritetet e finlandeze rihapen një pikë kufitare, por u detyruan ta mbyllin atë menjëherë, për shkak të fluksit të imigrantëve nga Rusia.
Finlanda, anëtari më i ri i NATO-s vendosi javën e kaluar të mbyllë deri në mes të janarit kufirin me Rusinë. Autoritetet bënë një përpjekje për të rihapur pikën kufitare Valima të enjten e kaluar, por e mbyllën atë sërish, pas një fluksi azilkërkuesish nga Rusia.
Zyrtarët finlandezë thonë se Rusia po i përdor imigrantët, si pjesë të luftës së saj hibride.
“Për herë të parë Rusia e përdori këtë taktikë në pikën veriore të kalimit, në Lipland, për të ndikuar vendimmarrjen në Finlandë në vitet 2015-2016. Ata dëshirojnë të ndikojnë në procesin e vendimmarrjes në këtë vend dhe të japin një sinjal kundër Finlandës, NATO-s si dhe marrëveshjes, mes saj dhe Shteteve të Bashkuara”, thotë koloneli Marko Saareks, anëtar i rojes kufitare të Finlandës.
Finlanda, e cila ndan një kufi prej 1340 kilometrash të gjatë me Rusinë, është në gjendje të lartë gatishmërie. Megjithatë, zona kufitare nuk ka pengesa fizike, duke e bërë më të vështirë patrullimin e saj.
Qeveria finlandeze thotë se Rusia po dërgon imigrantë për të dëmtuar qëndrueshmërinë e vendit, një pretendim që Moska e ka mohuar.
“Ne i kemi parë autoritetet ruse duke ndihmuar dhe udhëzuar këta imigrantë drejt kufirit tonë. Ata u japin biçikleta për të kaluar kufirin. Këtë vit, ata ndryshuan politikat e tyre dhe në mënyrë aktive, po i udhëzojnë dhe shoqërojnë njerëzit drejt Finlandës”, thotë koloneli Saareks.
Autoritetet në Finlandë i perceptojnë veprimet e Moskës si një formë hakmarrjeje.
“Ata po e bëjnë këtë sepse ne u anëtarësuam në NATO dhe po mbështesim shumë Ukrainën. Ndoshta ky është një ndëshkim i Finlandës nga Rusia”, thotë gazetarja Julia Blomqvist.
“Kjo është një luftë hibride dhe unë mendoj se po bëhet për shkak të anëtarësimit të vendit tonë në NATO dhe nënshkrimit të një marrëveshjeje mbi mbrojtjen, me Shtetet e Bashkuara”, thotë gazetari finlandez Petri Seppa.
Marrëveshje e re e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes Finlandës dhe Shteteve të Bashkuara vjen pas një politike dhjetëra vjeçare të mos angazhimit dhe përpjekjeve për të ndërtuar marrëdhënie miqësore me Rusinë. Qëndrimi i Helsinkit ndryshoi pas sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë ndaj Ukrainës. Mbështetja publike për anëtarësimin në NATO shënoi rritje të madhe ndërsa Finlanda nisi përpjekjet për të siguruar mbështetje ushtarake në rast të një konflikti me Moskën./VOA/