Ukraina dhe Rusia janë në diskutime preliminare për ndërprerjen e sulmeve ndaj infrastrukturës së energjisë të njëra-tjetrës, sipas gazetës së njohur britanike, “Financial Times”, e cila ka cituar persona të afërt me çështjen.
Kievi po synon që t’i rinisë bisedimet e ndërmjetësuara nga Katari që kishin çuar afër një marrëveshjeje në gusht, para se ato të devijonin për shkak të sulmit ukrainas në Kursk, thanë personat e afërt me temën, ku përfshihen zyrtarë të lartë ukrainas, raportoi gazeta britanike.
“Ka bisedime shumë të hershme për të rinisur diçka potencialisht. Tani ka bisedime për objektet energjetike” – tha një diplomat i njoftuar për bisedimet.
Një marrëveshje do ta shënonte depërshkallëzimin më domethënës të luftës që nga fillimi i vitit 2022, kur presidenti rus, Vladimir Putin, dha urdhër për pushtimin e plotë të Ukrainës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha këtë muaj se një marrëveshje për mbrojtjen e objekteve energjetike do të mund ta sinjalizonte gatishmërinë e Rusisë për t’u angazhuar në bisedime më të gjera për paqe.
Moska dhe Kievi tashmë i kanë rralluar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të njëra-tjetrës në javët e fundit si pjesë e një mirëkuptimi të arritur nga agjencitë e tyre të inteligjencës, sipas një zyrtari të lartë ukrainas.
Kur dimri po afrohet, Ukraina ballafaqohet me sfida të rënda për shkak të sulmeve të gjera ruse, që e kanë shkatërruar pothuajse gjysmën e kapacitetit të saj për prodhimin e energjisë.
Ukraina tani varet shumë nga qendrat eenergjisë bërthamore dhe nga importi i energjisë nga partnerët evropianë.
Edhe Kievi, edhe Moska më parë kanë pranuar se ndërprerja e sulmeve ndaj rrjetit energjetik ukrainas dhe kapacitetit të rafinerive ruse të naftës është në interesin e tyre të përbashkët.
Megjithatë, ka pak gjasa që Putini të pajtohet për një marrëveshje derisa Rusia t’i dëbojë trupat ukrainase nga rajoni Kursk, ku ende kanë nën kontroll 600 kilometra katrorë territor, sipas një ish-zyrtari të lartë të Kremlinit që është i njoftuar rreth bisedimeve, transmeton nacionale.
“Për aq gjatë sa [ukrainasit] janë duke e shkelur tokën në Kursk, Putini do ta godasë infrastrukturën energjetike të Zelenskyt”– tha ai.
Sipas një zyrtari të lartë ukrainas, Ukraina planifikon që t’i vazhdojë sulmet ndaj caqeve, përfshirë rafineritë e naftës, për t’i bërë trysni Rusisë që të hyjë në bisedime.
Si pjesë e sulmeve ukrainase, të paktën nëntë nga 32 rafineritë kryesore të Rusisë janë goditur nga fillimi i këtij viti.