Botë

Fillim i ri për Londrën dhe Parisin, Sunak i jep Macronit mbi 500 milionë euro për burgun e emigrantëve

By GAZETA SCANNER 1

March 10, 2023

Mbretëria e Bashkuar dhe Franca ia nisën nga e para me marrëdhëniet mes tyre. Dy qeveritë mbajtën një samit lidhur këtë në Paris, të parin në pesë vitet e fundit, ku diskutuan një sërë çështjesh.

Pika më e rëndësishme e diskutimit mes mikpritësit, presidentit Emmanuel Macron, dhe kryeministrit Rishi Sunak, që erdhi me tren, ishte ajo e ndalimit të emigracionit të paligjshëm me gomone në kanalin e La Manshit. Plani do t’i kushtojë Britanisë së Madhe 541 milionë euro, që do t’i paguhen Francës për 3 vite.

“Njoftojmë ujdinë për qendrën e re të paraburgimit në Francën veriore, për qendrën e re të komandës që për herë të parë bën bashkë ekipet tona të zbatimit të ligjit në një vend dhe për 500 oficerët shtesë të rinj që do të patrullojnë plazhet franceze. Ata do të mbështeten nga më shumë dronë dhe teknologji të tjera vëzhgimi që do të ndihmojnë në rritjen e shkallës së vrojtimit”, deklaroi kryeministri britanik.

Ndërkohë, sipas Macron, “ne jemi pajtuar me faktin që kemi nevojë të shtojmë ndërhyrjet dhe kapacitetet survejuese. Gjithashtu kemi vendosur të shtojmë financimet për disa vite, që do të na lejojë ne të përmbushim nevojat në të dyja anët”.

Pakti për krijimin e një burgu për emigrantët është kritikuar ashpër nga organizatat për mbrojtjen e tyre, përfshirë edhe Kryqin e Kuq. Britania e Madhe e ka shndërruar në një prioritet luftimin e emigracionit të paligjshëm, me fokus të veçantë atë të shqiptarëve me gomone.

Sipas të dhënave zyrtare, mbi 45 mijë persona hynë në Mbretërinë e Bashkuar përmes kanalit nga Franca vitin e kaluar, 12 mijë prej të cilëve ishin shqiptarë.