Lajme

Fetai takon Gërvallen pas incidentit të Osmanit në aeroportin e Shkupit

By GAZETA SCANNER

August 03, 2024

Pas incidentit të ndodhur në aeroportin e Shkupit, ku presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u përball me sjellje të pahijshme nga personeli i sigurisë, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, ka takuar ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në Prishtinë.

Fetai njoftoi se gjatë takimit, ai informoi ministren Gërvalla mbi hetimet që po kryhen nga institucionet maqedonase dhe premtoi se do të ketë përgjegjësi për çdo shkelje të konstatuar nga kamerat e aeroportit.

“Pas incidentit të djeshëm në aeroportin e Shkupit, në mes të personelit privat të sigurisë të angazhuar nga kompania TAV dhe ekipit të Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, shfrytëzova praninë time në Prishtinë për të takuar Ministren e punëve të jashtme, znj. Donika Gërvalla.

E informova Ministren Gërvalla se institucionet tona janë duke i kryer hetimet e nevojshme dhe se do të ketë përgjegjësi për çdo shkelje që do të mund të konstatohet nga incizimet e kamerave të aeroportit. I dëgjova shqetësimet e Ministres, e cila më njoftoi se sjellje të pahijshme karshi delegacioneve të larta të Republikës së Kosovës ka patur në mënyrë të përsëritur përgjatë viteve nga ana e personelit të sigurisë të angazhuar nga kompania në fjalë.

U pajtuam se raportet ndërshtetërore në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës janë të shkëlqyera dhe se do të angazhohemi bashkërisht për t’i thelluar ato edhe më tej, mbi bazën e partneritetit, si shtete aleate që ndajnë vlera të përbashkëta dhe janë të lidhura ngushtë në çdo rrafsh”, ka shkruar Fetai  në Facebook.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës kanë njoftuar se kanë paraqitur një notë proteste autoriteteve maqedonase, duke kërkuar sqarim të plotë të kësaj ngjarjeje.